Gjermani, festohet 20 vjetori i rënies së murit të Berlinit
Dhjetëra mijëra njerëz nga e gjithë bota kanë mbërritur në Berlin për t'iu bashkuar festimeve historike për 20 vjetorin e rënies së murit të berlinit. Në 9 nëntor 1989, me rënien e murit, do të përfundonte Lufta e Ftohtë dhe Gjermania do të kthehej e bashkuar. Në kryeqytetin gjerman turmat e njerëzve kanë nisur të festojnë. Kulmi i festimeve është muri i dominove, një mur simbolik i ngritur ne vendin ku dikur qëndronte muri me blloqe betoni. Janë 1000 gurë dominojë të vendosur përgjatë lumit Spree nga parlamenti i Berlinit deri në sheshin Potsdamer, duke simbolizuar një pjesë të murit që dikur ndante Gjermaninë Lindore dhe atë Perëndimore. Këto gurë janë dekoruar nga studentët gjermanë dhe shumë të tjerë nga e gjithë bota në kuadër të projektit për të inkurajuar të rinjtë që të reflektojnë në domethënien e murit të Berlinit. Kështu ndërsa Gjermania feston 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, një tjetër mur do të shembet në nder të asaj dite. Secili nga seksionet e murit i cili është i përbërë nga mure poroze ka një pamje me të vërtetë unike. "Elementet e murit kanë ardhur nga të gjitha pjesët e botës, që nga Meksika, Kina, Qipro, Jemeni, Izraeli dhe Palestina, dhe natyrisht edhe nga Koreja e Veriut. Rrëzimi i këtij muri simbolik do të ndjekë të njëjtën trajektore që ka pasur Murit të Berlinit. Nga Reichstag, më pas nga ndërtesa e parlamentit do të kalojë Portën e Brandenburgut dhe do të përfundojë në sheshin Potsdamer . Muri i Berlinit u ndërtua në 1961 dhe sherbeu si një simbol i ndarjes mes Europës Perëndimore dhe bllokut komunist të Europës Lindore. Në ceremoninë kryesore festive, janë të pranishëm, krerët e shumë shteteve dhe qeverive nga gjithë Europa si dhe kryediplomatja amerikane Hillary Clinton dhe Presidenti rus Dimitri Medvedjev. Përveç liderëve ndërkomëbtare, kancelarja gjermane Angela Merkel ka ftuar të gjithe kreret e shteteve dhe të qeverive të 27 vendeve të BE-së. Me rastin e kësaj ceremonie përkujtimore do të zhvillohen një sërë koncertesh dhe aktivitetesh të ndryshme në Gjermani.