E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermani, vdes shkrimtari dhe intelektuali i njohur Walter Jens

BERLIN- Shkrimtari dhe intelektuali gjerman, Walter Jens vdiq në moshën 90-vjeçare në Tübingen, njoftuan burime familjare.

Jens, shkrimtar dhe studiues i filologjisë, ishte në krye të Akademisë së Arteve dhe në të njëjtën kohë një prej figurave morale të Gjermanisë së pasluftës.

"Kancelarja Angela Merkel shpreh ngushëllimet për një prej intelektualëve më të rëndësishëm të vendit", u shpreh zëdhënësi i saj, Steffen Seibert.

"Gjatë dekadave të fundit, zëri i tij u dha tonin debateve kryesore intelektuale dhe politike", shtoi ai.

Në shkrimet e tij në shumë prej të përditshmeve gjermane, Jens ishte shprehur se intelektuali duhet të ishte mbrojtësi i demokracisë gjermane. Ai ishte bërë pjesë e një debati të gjerë mbi kulturën e tolerancës politike.

Figura e tij e intelektualit të angazhuar në jetën publike bëri që ai të krahasohej me një prej iluministëve francezë. Ai konsiderohej si "Volteri i vogël i Gjermanisë".
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›