E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Me ndihmën e grave të LSI ne synojmë 26 mandate në zgjedhje

TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi sot Forumin e Gruas, në “Pallatin e Kongreseve” në Tiranë. 

Meta: Me ndihmën e grave të LSI ne synojmë 26 mandate në zgjedhje
Konventa e gruas së LSI-së, është përshëndetur edhe nga kryetari i kësaj force, Ilir Meta, i cili u shpreh se përfaqësimi sa më i madh i grave në politikë rrit emancipimin e shoqërisë sonë.

“Unë ju falënderoj të gjithave ju që keni besuar tek LSI, që jeni angazhuar përgjatë këtyre 8 viteve. Jam krenar që LGI sot përfaqëson një realitet shpresëdhënës politik në të gjithë Shqipërinë, ju gra e vajza me energji për të përçuar mesazhe emancipuese për shoqërinë e politikën. Angazhimi i gruas në politikë. Ne kemi bindjen se shoqëria nuk mund të përparojë më shpejt pa u emancipuar me ritmin e duhur. Ne kemi besuar për një pjesëmarrje sa më aktive të gruas dhe vajzës në politikë dhe vendimmarrje, pjesëmarrja e tyre i shërben rritjes së përgjegjshmërisë së klasës politike në vend që të përqendrohet tek hallet e përditshme të shoqërisë, si varfëria papunësia e përjashtimi social”, tha ai.

Meta foli më tej për shanse të barabarta mes grave e burrave për të qenë pjesë e politikës, Sipas tij, “Revolucioni ekonomik i grave është lokomotiva e suksesit të shoqërisë”.

Punësimi i grave ishte një tjetër pikë kyçe, ku kreu i LSI-së ndali vëmendjen e tij.
“LSI ka prioritet të veçantë forcimin e vlerave familjare, fuqizimin ekonomik të grave, synojmë punësimin e tyre për të zbutur problemet sociale me të cilat ato e familjet shqiptare ndeshen çdo ditë. Mbështesim bizneset që punësojnë gratë”, tha ai më tej.

“Sfida jonë në fund të 4 viteve është të dyfishojmë numrin e grave dhe vajzave që dyfishojnë drejtimin dhe menaxhimin e bizneseve në vend”, nënvizoi Meta.

Kreu i LSI-së më tej u shpreh i sigurt se me ndihmën e grave në zgjedhjet e 23 qershorit LSI do t’i japë fund tranzicionit politik, për të ecur drejt integrimit dhe modelit, që sic tha ai, sjell më shumë vende pune për gratë.
Duke u shprehur i bindur tek fitorja e zgjedhjeve, Meta u shpreh se LSI synon fitoren e 26 mandateve.
“Me ndihmën e tyre synojmë të fitojmë 26 mandate deputetësh në zgjedhjet e 23 qershorit”, tha Meta më tej.

Kryemadhi: Vota për LSI në 23 qershor, fundi i politikës antigrua
Në fjalën e saj përpara sallës së mbushur me femra të LSI-së, kandidatja për deputete në qarkun e Lezhës, Monika Kryemadhi u bëri apel të gjitha grave që të votojnë LSI-në më 23 qershor, për t’i dhënë fund mentalitetit të politikës së vjetër në Shqipëri.

“Atë që bën LSI nuk e bën asnjë parti tjetër. Prodhon gra dhe vajza të reja politikane të Shqipërisë europiane. Humanizmin, njerzillëkun brenda LSI-së e sollën gratë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, sepse LSI është një parti që bart brenda vetes së saj vlerat. Vetëm në LSI ne kemi kuotat ku jemi të barabarta. Do t’i tregojmë Ilir Metës që gratë e LSI-së do t’i japin fitore LSI-së në 23 qershor. Lufta jonë nuk është me burrat, por me mentalitetin e politikës së vjetër në Shqipëri. Duke votuar numrin 26 në 23 qershor është fundi i politikës antigrua në Shqipëri”- u shpreh Kryemadhi.
(m.a/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›