E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani, video e re kërcënuese nga Al Kaeda

IntelCenter, kompania amerikane e cila është një kompani monitoruese website-sh e specializuar ndaj kërcënimeve për çështjet e sigurisë, ka lëshuar një video të re të grupit terrorist Al-Kaeda.
Në këtë video përsëriten kërcënimet ndaj autoriteteve gjermane për sulme kamikaze me bombë në rast të mostërheqjes së trupave gjermane nga misioni në Afganistan.
Në këtë video mesazhet e kërcënimeve i dha i njëjti person, me emrin Abu Talha, i cili foli edhe në videon e parë që u publikua javën e kaluar.
Ministria e Brendshme gjermane njoftoi se e kishte identifikuar personin i cili shfaqej në imazhet video. Ai ishte një gjermano-maroken i quajtur Bekkay Harrach.
Televizioni shtetëror gjerman tregoi pamjet e 32-vjeçarit gjermano-maroken i cili në videon e re paraqitej me një maskë në fytyrë.
Harrach në regjistrimin e videos së mëparshme u paraqit i veshur me kostum dhe me kravatë. Ai në këtë video kërcënoi në mënyrë të drejtëpërdrejtë kancelaren gjermane, Angela Merkel, për sulme kamikaze në rast se trupat gjermane nuk do të tërhiqeshin nga misioni i tyre ushtarak në Afganistan.
Pas videove kërcënuese në territorin gjerman janë rritur kontrollet e forcave gjermane të sigurisë. Gjermania ka një kontigjent prej 4200 trupash në Afganistan si detyrim si vend anëtar në NATO.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›