E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania, 91 milionë euro për energjinë

19/02/2010 Marrëveshja

Gjermania do të investojë 91 milionë euro për dy projekte energjetike në Shqipëri. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, dhe ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, nënshkruan dje marrëveshjen e bashkëpunimit financiar prej 91 milionë eurosh për dy projekte të rëndësishme energjetike, konkretisht linjën Unazore 110 kV në Jug të Shqipërisë, si dhe linjën e Transmetimi t 400 kV Shqipëri -Kosovë (Tiranë -Prishtinë ). Ministri Prifti duke i konsideruar këto dy projekte si mjaft të rëndësishme për sektorin energjetik shqiptar u shpreh se qeveria gjermane është një ndër donatorët prioritarë të vendit tonë në sektorin e energjisë elektrike, por edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. "Projekti i linjës me Kosovën prej 42 milionë eurosh mundëson një linjë të re 400 kv teknikisht të fuqishme për të bërë shkëmbimin e energjisë, si dhe shumëfishuar kapacitetet eksportuese dhe importuese të vendit tonë në periudhat e nevojshme", deklaroi ministri Prifti. Për sa i takon projektit prej 49 milionë eurosh, për linjën Unazore në jug të vendit, Prifti u shpreh se "kjo linjë do të përfshijë ndërtimin dhe fuqizimin e disa nënstacioneve që do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji të banorëve të asaj zone, ndërsa do të luajë një rol të madh edhe për zhvillimin e sektorit të turizmit". Ambasadori gjerman në Tiranë, Borchardt, u shpreh se "vetëm pak javë më parë kemi premtuar për Shqipërinë një ndihmë prej 130 milionë eurosh në një hark kohor prej 2 vitesh dhe sot nënshkruam një marrëveshje prej 91 milionë eurosh". Z. Borchardt tha se jemi përqendruar në fushën e furnizimit me ujë të pijshëm, pastrimit të ujërave të zeza, sistemin energjetik, por edhe atë të mbetjeve urbane. "Kjo tregon kontributin tonë për një zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë", deklaroi Borchardt, ndërsa shtoi se "duke marrë historinë 20-vjeçare, Gjermania ka ndihmuar Shqipërinë mbi 900 milionë euro. E bëjmë që Shqipëria të vijë në gjendje për tu integruar në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimi ynë do të vijojë edhe në të ardhmen", theksoi ambasadori gjerman në Tiranë Borchadt. Në bazë të marrëveshjes projekti "Linja Unazore 110 kV në Jug të Shqipërisë" synon përmirësimin e efikasitetit të energjisë dhe plotësimin e mungesave në rrjetin ekzistues 110 kV në Jug të Shqipërisë. Ndërkohë projekti "Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri - Kosovë (Tiranë-Prishtinë)" synon ndërtimin e një linjë transmetimi 400 kV që do të lidhë Tiranën (Shqipëri) me Prishtinën (Kosovë). Gjatësia e përgjithshme e linjës arrin 240 km. Krahas kësaj do të financohen e masat e nevojshme zgjeruese veçanërisht në nënstacionin e Kasharit

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›