E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania, Lëv rrezikon shkarkimin

“Te Dortmundi kam profesionin e fundit të ëndrrave. Por për çdo lojtar, veshja e fanellës së përfaqësueses është një ëndërr. E njëjta gjë vlen edhe për trajnerët. Unë do isha shumë i lumtur nëse do ma ofronin një shans të tillë”. Këto fjalë të Jurgen Klopit 2 muaj më parë kanë nisur të tingëllojnë më fort në kokën e Lëvit pas barazimit të fundit me Suedinë. Ta shikonte skuadrën të shkërmoqej në 30 minuta, krejt i pafuqishëm për të bërë diçka, e ka vënë menaxherin e Gjermanisë me shpatulla pas muri dhe në pozitat më të dobëta në stolin e kombëtares, qëkurse ka marrë drejtimin e saj në vitin 2006. Jogi nuk është më beniamini i tifozerisë dhe mediave gjermane. Kontrata e tij me federatën përfundon pas Botërorit të Brazilit (në vitin 2014), por kjo e fundit mund t’i kërkojë ta lërë më parë detyrën. Një ditë më parë, “Bild” rendiste kandidatët potencialë për ta zëvendësuar në rast largimi të 52-vjeçarit. Numri 1 është trajneri i Borusias së Dortmundit, Jurgen Klop. 45-vjeçari, i cili ka dhënë provat e një menaxheri të jashtëzakonshëm në dy vitet e fundit, duke lënë pas Bajernin me skuadrën nga Vestfalia, është favoriti kryesor në listën e gjatë të kandidatëve. Më mirë se ai këtë kombëtare nuk e njeh askush tjetër, ndërsa pas rekordmenëve të Hejnkesit është Dortmundi, skuadra që i furnizon “pancerat” me numrin më të madh të lojtarëve. Por një tjetër kandidat i mundshëm është edhe Mirko Slomka.

Lëv: Skuadra më doli nga kontrolli
“Në dhomat e zhveshjes kishte një heshtje varri. Askush nuk foli dhe nuk kishte përjetuar një situatë të tillë më parë. Për 60 minuta kisha një superskuadër, mirëpo për gjysmë ore lojë ajo më doli nga kontrolli”. Kështu e ka përshkruar të gjithë situatën pas barazimit me Suedinë trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv. “Ndoshta e gjithë kjo nisi të gatuhej në kokën e lojtarëve tanë përpara se Suedia të na barazonte. Duhet të ulemi dhe ta analizojmë me kujdes këtë që ndodhi”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›