E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhgënjim kuqezi, Bjellorusia na mund me 9 lojtarë

U-19 humbet 2-0 dhe e mbyll grupin në vendin e fundit.

Kombëtarja U-19 e Shqipërisë është “shfryrë” pas asaj fitoreje ndaj Belgjikës, pasi u mundën me rezultatin 2-0 dje nga Bjellorusia dhe u dhanë fund shpresave për të kaluar në “Elite round”.  Një ndeshje e një niveli të dobët për kuqezinjtë, duke mos arritur të evitojnë dot humbjen ndaj një kundërshtari që për 15 minuta luajti me nëntë lojtarë. Trajneri Strakosha e nisi lojën me skemën 4-2-3-1, me Shehajn të vetëm në sulm. Ky i fundit gjatë gjithë pjesës së parë do ishte nën mbulimin e fortë të dy mbrojtësve bjellorusë dhe nuk arriti të bëjë diferencën në fushë. Rasti i parë i rrezikshëm për gol do të shënohej në portën shqiptare, kur mesfushori Korzun pas një inkursioni të shpejtë dhe driblimesh në brendësi të zonës, do sillte panik te mbrojtësit tanë. Kuqezinjtë ndjenë mungesën e Kabashit dhe vuajtën në organizimin e aksioneve, pavarësisht përpjekjeve të Hoxhës, Gavazajt dhe Vuthajt. Nga ana tjetër, sulmuesi Shamruk dhe mesfushori Korzun ishin një rrezik konstant për mbrojtjen shqiptare, duke vunë jo pak në vështirësi Sykën dhe Bilalin. Edhe pse mundohen që të gjejnë rrugën e rrjetës, lojtarët e Strakoshës e kanë shumë të vështirë të gjejnë hapësira. Ata provojnë të ndryshojnë edhe stil loje, nga topa të ulët në topa të lartë, por as në këtë mënyrë nuk arrijnë të rrezikojnë portën kundërshtare. Në fraksionin e dytë të lojës Shehaj doli dhe në vendin e tij u fut Latifi. Gjithsesi, më shumë binte në sy grinta dhe dëshira për të shënuar, sesa qartësia në aksionet e zhvilluara. Kundërshtari ishte i vendosur shumë mirë në fushë dhe, në fakt, pas disa rasteve të krijuara, arriti edhe të gjejë golin e avantazhit. Muskaj pengoi sulmuesit Shamruk brenda zonës dhe arbitri akordoi 11-metërsh, i cili u ekzekutua saktë nga Beljaski në të 61-ën. Shtatë minuta më pas, mbrojtësi kundërshtar Karpoviç do të merrte kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën e tij me një futbollist më pak. Shpresat e shqiptarëve për një rezultat pozitiv u shtuan, por kjo nuk u konkretizua në fushë. Ndërkohë që u hodhën të gjithë në sulm për të barazuar rezultatin, Bjellorusia shënoi edhe golin e dytë. Ishte Komarov ai që shfrytëzoi saktësisht një kundërsulm të shpejtë. Por, vetëm disa sekonda më pas, Shestilovski pati një debat me pankinën e Kombëtares shqiptare dhe gjyqtari i nxori gjithashtu kartonin e dytë të verdhë. Edhe pse me nëntë futbollistë, skuadra bjelloruse arriti të administrojë pa shumë vështirësi avantazhin e krijuar.

Shqipëri-Bjellorusi 0-2
Golat: Beljavski 61′ (P), Komarov 76′
Kartonë të verdhë: Hoxha, Latifi/ Karpoviç, Shestilovski, Komarov
Kartonë të kuq: Karpoviç 68′, Shestilovski 79′
Shqipëria (4-2-3-1): Strakosha, Muskaj, Syku, Bilali, Hoxha, Gjino, Gavazaj (Ymeraj 70′), Shehaj (Latifi 70′), Lundraxhiu (Magani 80′), Vuthaj, Ahmedi. Trajner: Foto Strakosha
Bjellorusia (4-4-2): Vasiliuçak, Karpoviç, Shestilovkki, Zaleski, Izhakovski, Patotski (Komarov 58′), Beljaski, Korzun, Hurenka (Dugel 64′), Rasadkin (Zul 79′), Shamruk. Trajner: Valentin Mikhev

Bilali
Kapiteni Armir Bilali mendon se do ishte më e lehtë për Shqipërinë nëse do binte shi. “Fusha ishte shumë e rënduar me baltë dhe ne patëm vështirësi për të luajtur siç duam. Mendoj se do ishte më mirë po të binte shi, pasi mund të kishim fituar në kushte të tilla. Gjithsesi, ne shpërdoruam shumë raste për shënim”, tha kapiteni i kuqezinjve U-19.

Muskaj
Arben Muskaj, autori i penalltisë së shkaktuar, nuk është dakord me vendimin e arbitrit. “Unë rrëshqita dhe preka topin, para se të prekja këmbët e futbollistit kundërshtar. Nuk ishte penallti dhe arbitri gaboi që e dha. Ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe, nëse gjyqtari do ishte treguar i saktë”, tha Muskaj pas ndeshjes.

Strakosha: Kalendar i ngjeshur, kemi shumë talente
Trajneri i Kombëtares U-19, Foto Strakosha, pranon se kalendari i ngjeshur ka ndikuar te forma e lojtarëve të tij. “E patëm të vështirë që në ndeshjen e fundit të tregojmë të gjithë potencialin tonë, edhe prej kalendarit të ngjeshur. Në kaq pak ditë, kemi zhvilluar ndeshje ndaj kundërshtarësh shumë të fortë. Më vjen keq që nuk u kualifikuam, pasi isha shumë optimist për lojtarët që kam në dispozicion. Gjithsesi, unë jam i kënaqur me talentin që ata kanë treguar dhe kanë garantuar se do jenë pjesë e kombëtareve U-21, apo asaj të madhe në të ardhmen. Bjellorusia bëri një lojë të mirë, si në aspektin taktik ashtu edhe fizik”, u shpreh Strakosha pas ndeshjes.

Armand Duka: Lojtarët vuajtën presionin
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka bërë një analizë të paraqitjes së Kombëtares U-19. “Nëse më duhet të bëj një bilanc, nuk mund ta cilësoj si një paraqitje shumë të mirë, por as paraqitje të keqe. Skuadra tregoi se ka elementë mjaft cilësorë. Sa i përket ndeshjes kundër Bjellorusisë, mendoj se lojtarët vuajtën presionin e fitores. Fakti që duhet të merrnin tri pikë, ndikoi në aspektin psikologjik të tyre dhe i pengoi që të tregojnë atë që duhet në fushë. Mosha e re e tyre bën që ata të vuajnë presionin”, u shpreh presidenti i FSHF-së, Duka.

Italia humbet me Belgjikën, por kualifikohet
Italia është mundur përballë Belgjikës, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Loni Papuçiu” të qytetit të Fierit. Belgët kaluan në avantazh vetëm pas pesë minutash lojë, me anë të Krouks. Kjo tronditi disi futbollistët e trajnerit Evani, të cilët lëshuan në lojën e tyre, por kundërshtari nuk u tregua i saktë para portës në rastet që krijoi. Gjithsesi, mendoi Kabasele për të shënuar golin e sigurisë në të 71-ën. Italia arriti që gjithsesi të shënojë një gol. Pas një prekjeje të topit me dorë brenda zonës, arbitri akordoi 11-metërsh në minutën e 86-të. Edhe pse u mundën, axurrët u kualifikuan si të dytët e grupit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›