Gjermania: Të ristrukturohet borxhi grek
Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, sipas njoftimeve në media ka paralajmëruar ndaj rrezikut të falimentimit të Greqisë. Nëse vendi anëtar i BE-së nuk merr mbështetje të mëtejshme financiare, kërcënon të ndodhë falimentimi i parë i pakontrolluar në eurozonë, thuhet në një letër të Schäubles, nga e cila citojnë gazetat gjermane Süddeutsche Zeitung dhe Die Welt. Në letër, Schäuble kërkon krahas një pakete të re ndihmë dhe një ristrukturim të borxhit të Greqisë me pjesëmarrje të kreditorëve privatë, thuhet më tej në artikujt e gazetave. Vitin e kaluar Greqia mori një paketë ndihme prej 110 miliardë eurosh. Tani po diskutohet për një program të ri ndihme, me një volum prej 65 deri 100 miliardë euro.