E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hollanda bllokon integrimin e Serbisë në BE

BRUKSEL- Hollanda nuk pranon të ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Serbinë, duke e kushtëzuar këtë me bashkëpunimin e plotë të Beogradit me Gjykatën Ndërkombetare të Hagës.

Parlamenti holandez ka hedhur sot poshtë propozimin e kryetarit të Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme Ormel, që të fillojë procesi i ratifikimit të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

“Për fat të keq, shumica parlamentare nuk e ka pranuar këtë propozim”,- ka thënë Ormel për agjencinë serbe Tanjug pas mbledhjes së Komisionit parlamentar.

Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Serbine e kanë ratifikuar deri më tani 18 nga 27 shtetet anëtare të BE-së. Ndërsa Hollanda e kushtëzonte këtë hap me bashkëpunimin e Serbisë me Gjykatën e Hagës dhe arrestimin e Ratko Mlladiç.

Por, edhe pas arrestimit të këtij të fundit dhe dorëzimit në Hagë, deputetët holandezë vendosën të mos e pranojnë propozimin për ratifikimin e MSA-së me Serbinë, duke deklaruar se do te presin raportin zyrtar të kryeprokurorit të Hagës Serzh Bramertz.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›