E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe:Opozita po shuhet në Kuvend, heshtja jo zgjidhje

Berisha po shpronëson shqiptarët, xhami i shtypit në PS nuk është institucion

Nesër, Kuvendi i Shqipërisë do të diskutojë dhe me shumë gjasë do të miratojë projektligjin Për krijimin e shoqërive HEC, Ulëz-Shkopet sh.a., HEC, Tiranë Lanabregas sh.a. dhe HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2 sh.a., si dhe përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërive HEC Ulëz-Shkopet sh.a. dhe HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2 sh.a..
Po nesër, Kuvendi do të synojë të miratojë një projektrezolutë, Për vlerësimin e veprimtarisë së institucionit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2010, pasi të ketë dëgjuar një raportim nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Për shkak të kohës së gjatë si anëtar i Kuvendit, them se nesër Kuvendi do të ketë një ditë të rëndësishme. Vendimmarrja e tij do të ketë ndikim të madh në ekonominë e vendit, por edhe në ekonomitë familjare. Njëherësh, vendimmarrja e Kuvendit do të shënojë një stad të ri në kufizimin gjithnjë e më të madh të pronës publike dhe shërbimit publik në ketë vend.
Pra, vendimmarrja e Kuvendit do të ketë interes kombëtar. Opozita parlamentare, Partia Socialiste, nuk do të jetë nesër në Kuvend. Ajo po bën mënjanë në një moment shumë të rëndësishëm, edhe pse për një kohë të gjatë u ka folur shqiptarëve për marrëdhënien mes votës së vjedhur dhe qeverisë që vjedh çdo gjë, pasi vjedh votën.
Grupi i deputetëve socialistë nuk u mblodh sot të diskutonte e të vendoste për qëndrimin e tij.
Madje, deputetët socialistë të komisioneve të Kuvendit, Ekonomisë, financave e privatizimit, Veprimtarisë prodhuese, Ligjeve, nuk e panë të udhës të mblidheshin e të diskutonin për dy çështjet e mësipërme. Në aspektin politik, por edhe në atë profesional qoftë.
Ky është gabim! I përsëritur shpesh.
Sali Berisha, menjëherë pas zgjedhjeve dhe mu në mes të vjedhjeve elektorale në Tiranë, mbajti një ligjëratë kaotike, por të qartë në veprim: Tani do të privatizojmë gjithçka.
Ai është i qartë për kostot e këtij procesi.
Projektligji është miratuar në Qeveri në datën 23.3.2011, pra shumë kohë para zgjedhjeve të 8 majit. Por ai nuk u bë publik për shqiptarët votues para zgjedhjeve. Kjo sepse Sali Berisha mendonte ndëshkimin me votë popullore edhe për shkak të kësaj nisme okulte e më pasoja të rënda mbi ekonominë kombëtare.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 11, pikat 1dhe 2) sanksionon:
1.  Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike.
2.  Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj.
Pra, në Kushtetutë, prona publike është nën të njëjtën garanci ligjore si prona private. Sistemi ekonomik bazohet e zhvillohet në të dyja llojet e pronave, publike e private, pa kufizim.
Por, Sali Berisha ka vendosur ta shuajë e tjetërsojë pronën publike. A është kushtetuese kjo?
Prona publike është tkurrur shumë në këto 20 vite, nën efektin e reformave strukturore të ekonomisë kombëtare.
Pronësia publike tani ka mbetur mbi:
-           Pronat publike në sektorin strategjik të energjisë.
-        Energjisë elektrike: hidrocentralet, termocentralet, linjat e transmetimit
Hidrokarbureve: fushave nafte e gazmbajtëse, aseteve nafte e gaz-nxjerrëse në këto fusha (edhe këto të tkurrura pas marrëveshjeve korruptive për dhënien në shfrytëzim të tyre)
-      Pronat publike në shërbimin publik të arsimit
-      Pronat publike në shërbimin publik të shëndetësisë
-      Aksionet – një pakicë të tyre – në shërbimet e telefonisë fikse, shpërndarjes së energjisë elektrike, përpunimit të naftës etj.
-      Objektet deri tani në pronësi të Ushtrisë e Policisë e të nxjerra së fundi nga fondi në administrim të tyre.
Pronat publike nuk janë të Qeverisë. As të Sali Berishës. Por të shqiptarëve.
Qeveria ka detyrimin ti administrojë ato me eficiencë e transparencë. Por, Sali Berisha thotë se korrupsioni i administratorëve të tij është shkak që të ndërrojë pronësia mbi këto prona publike. Për 6 vjet me radhë, një takëm hajdutësh zyrtarë, të emëruar nga Sali Berisha dora vetë, janë kamur padrejtësisht duke zhvatur këto prona publike. Ata vijojnë ta gëzojnë plaçkën e vënë edhe sot, në Shqipëri e jashtë saj.
Kjo është gjysma e së vërtetës. Është fakt se biznesi i administrimit të vetëm këtyre hidrocentraleve ka një fitim prej 20-25 milionë eurosh në vit.
Njeriu që nuk u shqetësua kurrë në 6 vite për korrupsionin në sektorët publikë, madje krijoi mundësi të pamata për administratorët e tij, – nuk i ndëshkoi kurrë, por i mbrojti me efikasitet, -tani është i shqetësuar për pronarët e rinj të tyre.
Ky është thjesht shpronësim publik ndaj shqiptarëve. Nuk është privatizim.
Nuk është instrument ekonomik që synon të shpëtojë prona publike. Jo! Është shpronësim masiv i shqiptarëve dhe pronësim korruptiv i një grushti politikanësh dhe klientelës së tyre.
Çdo proces i ngjashëm, i administruar nga Sali Berisha në këto 6 vite, ka përfunduar këtu, te politikanët e familjes Berisha dhe klientela e tyre.
Në anë tjetër, pas shpronësimit, interesat e shqiptarëve goditen sërish.
Pronësia publike në këta sektorë është ruajtur deri tani për të ndikuar mbi çmimet e ofruara për këto shërbime. Ato kanë pasoja ekonomike e sociale mbi çdo familje. OSSH-ja, e tjetërsuar në CEZ, dëshmon qartë se çpo ndodh kur çmimi po rritet pa justifikim ekonomik e cilësi shërbimi. CEZ, tani i çliruar nga aksionet publike prej të cilave Qeveria po heq dorë, do të jetë edhe më i dhunshëm, por edhe më i dhimbshëm. Për qytetarët, jo për qeveritarët. Çmimi i energjisë është lajmëruar prej CEZ-it se do të rritet. Por tani rritje do të kërkojnë edhe pronarët e rinj të veprave prodhuese të energjisë elektrike.
Sali Berisha nuk e pranoi kurrë se aksionet publike në këta sektorë nuk janë burim për para në arkat e tij, familjare e qeveritare. Por, mundësi ligjore e instrumente ekonomike për të mbrojtur paratë e çdo familjeje shqiptari nga çmimet abuzive të shërbimeve të privatizuara.
PS po ia ndalon mundësinë vetes ta njohë në detaje këtë proces shpronësimi; po ia heq mundësinë vetes të gjurmojë këtë proces tjetërsimi të pronës publike.
Por, në anën tjetër, PS po ia ndalon mundësinë vetes të debatojë rreth projektit kriminal të Sali Berishës: Tani do të privatizojmë gjithçka; po ia heq të drejtën vetes të komunikojë publikisht me shqiptarët rreth shpronësimit të tyre, të komunikojë me blerësit e mundshëm për paligjshmërinë e këtij procesi; po ia heq mundësinë vetes të angazhohet para gjithkujt se do ta zhbëjë këtë proces, do të bëjë drejtësi për administratorët e korruptuar, politikanët vendimmarrës dhe blerësit klientë të tyre.
Unë kam respekt për xhamin e shtypit në selinë e PS, por ai nuk është institucion.
Angazhimet kur lidhen me interesa kombëtare, seriozitetin e marrin nga institucioni, thellësia e analizës dhe ndershmëria e sipërmarrjes politike. Kur këto mungojnë, nuk bind askënd. Madje nuk tremb as laraskat.
Në vijim të axhendës së tij, nesër Kuvendi do të vlerësojë edhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë. Veprimtaria e Bankës Qendrore është tejet e gjerë dhe me impakt po kaq të madh në sistemin financiar, financat publike, ekonominë kombëtare, por edhe në ekonominë familjare. Guvernatori i Qeverisë është munduar shumë ta fshehë realitetin këto dy vite, por tronditja po afron – treguesit po përkeqësohen dh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›