E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania e gatshme të mbështesë FSK’në

(E plotësuar)
Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi priti sot në një takim ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Dr. Karl – Theodor Freiherr zu Guttenberg me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë, bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe perspektivën e integrimeve evropiane të Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi përmes ministrit Guttenberg ka falënderuar shtetin dhe popullin gjerman për mbështetjen dhe përkrahjen që i kanë dhënë vendit tonë, demokratizimit, ndërtimit të shoqërisë multietnike dhe posaçërisht ndihmës për ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Natyrisht se FSK-së i mbetet ende për të bërë që të arrij standardet e duhura “theksoi kryeministri Thaçi duke shtuar se do të kemi edhe më tutje mbështetjen edhe më të madhe të Gjermanisë. Z. Thaçi më tutje ka thënë se suksesi i Kosovës është i prekshëm , kemi ndërtuar raporte të mira me të gjitha vendet e rajonit dhe kemi vullnet që për çështje konkrete të bashkëpunojmë edhe me autoritetet në Serbi.

Kryeministri Thaçi ka njoftuar ministrin gjerman të Mbrojtjes edhe lidhur me reformat në drejtësi së bashku me EULEX-in dhe ICO-në dhe punën e përbashkët me KFOR-in.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Dr. Karl – Theodor Freiherr zu Guttenberg theksoi progresin e arritur në Kosovë sidomos në çështjet e sigurisë. Z. Gutemberg potencoi zvogëlimin e trupave të KFOR-it në Kosovë si rezultat i situatës së përmirësuar të sigurisë në Kosovë.

Guttenberg premtoi se edhe më tutje vendi i tij është i gatshëm të mbështesë si edhe deri tash FSK-në.

Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën

Reduktimi i trupave të KFOR-it në Kosovë duhet të matet në bazë të sukseseve të arritura dhe se nuk duhet të bëhet në mënyrë të veçantë nga shtete që janë prezentë në kuadër të KFOR-it, ka thënë ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor Freiherr zu Guttenberg, pas takimit me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, të hënën pas takimit që ka zhvilluar me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Guttenberg ka falënderuar Gjermaninë për angazhimin e vazhdueshëm në mbështetje të Kosovës për dekada me radhë, veçanërisht për mbështetjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran në zhvillimin e demokracisë dhe ekonomisë.

Sejdiu ka theksuar sidomos mbështetjen e Gjermanisë për ngritjen dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kuadër të KFOR-it apo NATO-s dhe për politikat e saj për proceset e rëndësishme të integrimeve të Kosovës.

“Ishte një rast i mirë që ta falënderoj edhe Gjermaninë përmes ministrit, të shpreh konsideratat më të larta po ashtu për KFOR-in gjerman si një nga kontingjentet më të mëdha në Kosovë që ka qenë dhe mbetet i shkëlqyeshëm në rolin e vet të veçantë. Dhe për proceset tjera që kemi para vetes po them gjithmonë në një shenjë të respektit reciprok duke pasur parasysh të gjitha ato investime të mëdha dhe të gjithmonshme që Gjermania ka dhënë për Kosovën”, tha presidenti Sejdiu.

Kurse ministri gjerman, Guttenberg ka thënë se në takim me presidentin Sjediu kanë biseduar për stabilitetin në Kosovë dhe rajon, dhe për hapat që duhet të ndërmarrë Kosova që të ec më tutje në drejtim të zhvillimit.

Ai ka theksuar qëndrimin e njohur të Gjermanisë për pavarësinë e Kosovës, ndërkaq sa i përket GJND-së, ai ka thënë se duhet të pritet vendimi dhe nuk duhet paragjykuar se çfarë vendimi do të jetë ai.

Ministri gjerman ka thënë se mbështetja e Gjermanisë për Kosovën, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në mënyrë që të gjitha çështjet, të cilat i ka Kosova do të mund të zgjidhen bashkërisht.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe perspektiva e vendeve të rajonit të Ballkanit, për ç‘gjë ministri gjerman i Mbrojtjes ka thënë se ka vullnet për një perspektivë të qartë të BE-së për këto vende.

“Ne në këtë rast duhet ta theksojmë edhe Konferencën e Selanikut të vitit 2004. Mendoj se ne mund të bazohemi akoma në këtë konferencë. Natyrisht në këtë aspekt duhet të theksojmë që ka një vullnet për një perspektivë të qartë të BE-së për këto vende dhe natyrisht ka edhe kritere dhe detyra të shtëpisë të cilat duhet këto vende të rajonit t’i përmbushin gjatë rrugës për në BE. Ne shohim këtu se ka një vullnet të jashtëzakonshëm për t’i përmbushur dhe për t’i kryer këto detyra dhe këto kritere në mënyrë shumë të mirë dhe me një tempo të duhur”, ka thënë Guttenberg.

Lidhur me reduktimet e trupave të KFOR-it në Kosovë, ai ka thënë se reduktimi duhet të matet në bazë të sukseseve të arritura dhe se nuk duhet të bëhet në mënyrë të veçantë nga shtetet që janë prezentë në kuadër të KFOR-it.

Guttenberg ka shpreh mbështetjen dhe profesionalizmin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministri Guttenberg po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku pas takimit me presidentin Sejdiu është takuar edhe me kryeministrin Thaçi, kurse pasdite do të mbajë një konferencë në selinë qendrore të KFOR-it. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›