E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ka nevojë për energji të reja

Kryeministri Hashim Thaçi falënderoi ministrat e kabinetit të tij qeveritar, duke paralajmëruar freskime me energji dhe personalitete të reja.

Ndonëse nuk i konfirmoi përfundimisht ndryshimet në Qeverinë e tij, Thaçi tha se nevojat e qytetarëve po rriten dhe ato kërkojnë një trajtim edhe më afirmativ.

Duke mos folur për emra konkretë, Thaçi tha se po rritet edhe nevoja për energji të reja në Qeverinë që ai drejton.

“Afirmimi i qeverisjes së mirë do të vazhdojë me personalitetet kredibile dhe energjitë e reja, duke vlerësuar lart punën e secilit ministër në angazhimet që kanë pasur në suksesin historik, që kemi arritur si Republikë e Kosovës”.

“Këta dy vjet e gjysmë kanë qenë vite të suksesit dhe ky kabinet qeveritar është kabineti i suksesit. Por, gjithmonë kërkohet të bëhet edhe më tepër, pasi që nevojat e qytetarëve rriten dhe ne do të jemi në krye të përgjegjësive që kemi”, tha Thaçi.

Ndërkaq, presidenti Fatmir Sejdiu tha se nuk është në kompetencë të tij që të flasë për çështjet e partive në koalicion, por, siç u shpreh, ai do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet dhe angazhimet që çojnë kah një qeverisje më e mirë.

“Unë s’kam përgjigje, kjo është çështje e partnerëve të koalicionit. Këto lista dërgohen në komunikime ndërmjet tyre dhe Kushtetuta është shumë e qartë. Por, nëse do të vijë çështja e kompetencave që lidhen me rolin që duhet të ketë presidenti, ajo do të jetë shumë e qartë, por, në këtë fazë, kjo është çështje e partnerëve të koalicionit, absolutisht”, u shpreh presidenti.

“Unë jam i gatshëm për atë që e arrijnë partnerët e koalicionit dhe kryeministri i Republikës e bën në bazë të Kushtetutës, e informon Kuvendin për ndryshimet eventuale dhe kjo është çështje e tyre”, tha Sejdiu. /rel/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›