E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK në heshtje

Përderisa kryeministri Hashim Thaçi dhe pesë zyrtarët tjerë të PDK’së që mbajnë poste të dyfishta, tashmë kanë hequr dorë nga njëra pozitë, LDK’ja si partneri në koalicion, ndodhet në heshtje.

Zyrtarët më të lartë në nga PDK’ja deklarojnë se riformatizimi tashmë është duke ndodhur, ata të LDK’së shprehen se janë në pritje të konsultave për këtë temë.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj, tha të dielën për Express se deri tani asnjë nismë zyrtare sa i përket riformatizimit nuk ka as në parti e as në qeveri.

“Së paku jo në mes të partnerëve të koalicionit. Së paku jo në mes të kryeministrit dhe meje ose presidentit dhe kryeministrit, aq sa di unë. As mes meje e presidentit dhe as mes meje e nënkryetarit të parë të LDK’së nuk ka asnjë bisedë për riformatizimin”, tha Manaj.
Ai ka thënë se nuk mund të flas më shumë për këtë temë, përderisa nuk ka nismë zyrtare mes partnerëve të koalicionit.

“Ndryshimet për ngritje të performancës, ngritjes së kapaciteteve apo efikasitetit parimisht janë gjithmonë të dobishme dhe të mundshme. Por, iniciativë formale procedurale deri më tani nuk ka”, tha ai.

Edhe anëtari i Kryesisë Qendrore të LDK’së, Ismet Beqiri ka thënë të dielën se në parti deri tani asnjëherë nuk është diskutuar për ndryshimet në Qeveri.

“Ajo çështje besojmë se do të bëhet në Kryesi. Është e drejtë e liderit të partisë që eventualisht të ketë filluar konsultat. Ne si Kryesi ende nuk jemi të informuar për diçka të tillë dhe nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim”, tha Beqiri.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri jep shpresë se edhe deputetët-ministra nga kjo parti mund ta ndjekin shembullin e Kryeministrit, në të ardhmen.

“Edhe ne në LDK në kuadër të reformave e kemi të paraparë që zyrtarët e partisë të deklarohen për një pozitë. Besoj që në momentin e parë që do të kërkohet prej neve, do të definohemi”, tha Haziri për Express.

Haziri e sheh si pjesë të riformatizimit të qeverisë heqjen dorë nga postet e dyfishta duke thënë se edhe zyrtarët e LDK’së do të marrin hapa të tillë në të ardhmen ngase për këtë çështje janë miratuar reformat në LDK, para dy viteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›