Gjermania fiton Eurovision 2010, Juliana Pasha në vendin e 16
Këngëtarja gjermane Lena me këngën Satellite u shpall më e mira në Eurovision 2010. Me 246 pikë Gjermania bëhet dhe shteti, i cili do të mirëpresë këtë evenimet muzikor në vitin 2011. Në vendin e dytë u rendit Turqia dhe në të tretin Rumania.
Në skenën e Telenor Arena mes një atmosfere elektrizuese përfundoi evenimenti më i madh i këngës evropiane, ku në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, mbrëmë u zhvillua nata finale e edicionit të 55 të Festivalit Europian të Këngës. Juliana Pasha u rendit e 16 në festival, megjithëse ajo përmend si një ndër këngët më të mira. Në skenën e stadiumit Telenor Arena u ngjitën këngët e 25 e shteteve europiane, të cilat ishin përzgjedhur nga dy netët gjysmëfinale dhe 5 këngë kanë hyrë automatikisht në garë, falë pozicionit që zunë vitin e kaluar në këtë kompeticion. Festivalin e hapi Azerbajxhani me këngën Drip Drop të kënduar nga Safura. Juliana Pasha u ngjit në skenë e 15-ta e shoqëruar nga tri këngëtare amerikane, Glenys Vargas nga New York City, Desiree Keedjour nga Çikago dhe Joy nga New York-u dhe tingujt e muzikës së violinistit të njohur edhe në arenat ndërkombëtare, shqiptarit Olen Cezari. Nuk mundem pa ty u përzgjodh në gjysmëfinalen e parë më 25 maj. Kënga e Julianës u rendit e para nga votat e publikut në faqen e internetit të Eurovision me 14 për qind të klikimeve ose mbi 7800 vota. Gjithë këto ditë, për grupin shqiptar në Oslo për këngëtaren Juliana Pasha, kompozitorin Ardit Gjebrea dhe tekstshkruesin Pirro Çako kanë qenë të ngjeshura me prova, konferenca shtypi. Në një intervistë për faqen online ecstoday. Com, e cila publikon gjithçka ndodh në këtë festival, gazetarë, nga Meksika, Greqia, Spanja, SHBA dhe Gjermania, Serbia të akredituar në Oslo ndoqën festivalin, të cilët dhe parashikuan Shqipërinë me Its all about you si pretendente për çmimin e parë mes shteteve si Belgjika Izraeli, Gjermania dhe Azerbajxhanit. Ata shprehen se është e vështirë, pasi këtë vit gara ka është shumë e fortë. Mbi 130 milionë teleshikues ndoqën live Eurovision 2010, ku kënduan përfaqësues të 25 shtete, të cilët hynë në finale si Moldavia, Rusia, Estonia, Sllovakia, Finlanda, Letonia, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Polonia, Belgjika, Malta, Shqipëria, Greqia, Portugalia, Maqedonia, Bjellorusia, Islanda, Gjermani etj, ishin vendet pjesëmarrëse në natën finale. Ndërkaq që ndryshe nga vitet e tjera publiku këtë vit pati 50% të votës, ndërsa 50% juria e festivalit, ku votimi i publikut filloi sapo nisi nata e parë e festivalit. Shqipëria u votua nga Kroacia, Turqia, Polonia, Bosnje Hercegovina etj, por ajo nuk mori pikë dhe nga shumë shtete të tjera si Finlanda, Sllovenia, Estonia. Edhe një vit më parë pavarësisht se është thënë se do të këtë votim korrekt është parë se ndikimet politike dhe votimi për shtetet fqinjë ka vazhduar. Vendet sllave kanë votuar për vendet e tyre fqinje, ndërkaq ato ballkanase kanë votuar më shumë për vendet e lindjes dhe jo për fqinjët e tyre. Shqipëria mori pjesë në Eurovision për herë të parë në vitin 2004, kur kënga me titull Imazhi yt e kompozitorit Edmond Zhulali u interpretua në skenën e Eurosong në Turqi nga këngëtarja Anjeza Shahini.
Shpallen datat për Eurovision 2011
Vitin që vjen Festivali Evropian mund të zhvillohet mes datave 17, 19, 21 maj 2011. Organizatorët e festivalit zhvilluan një konferencë shtypi, ku raportuan për mbarëvajtjen e festivalit dhe ca të dhëna për edicionin e ardhshëm. Sipas tyre, gjithçka shkoi më së miri me votimin, përveç një vendi, të cilit iu quajt vetëm votimi i jurisë dhe nuk u mor parasysh ai i publikut, pasi nuk ishte menaxhuar në kushtet e duhura të sigurisë. Eurovision është një konkurrim ndërkombëtar muzikor, i cili zhvillohet çdo vit qysh prej vitit 1956. Në këtë eveniment marrin pjesë kryesisht vendet anëtare të Bashkimit Evropian të Radio-Televizioneve (EBU), së cilës i përkasin edhe disa vende aziatike dhe afrikane si Izraeli, Turqia dhe Maroku. Për këtë qëllim çdo shtet pjesëmarrës ka të drejtën të prezantojë një këngë në këtë festival muzikor. Konkursi ndërkombëtar, që përbëhet nga gjysmëfinalja dhe finalja, zhvillohet sipas rregullit në vendin e fituesit të vitit të mëparshëm. Spektakli ndahet në dy pjesë, prezantimi i finalistëve qe zgjat rreth dy orë, dhe më në fund dhënia e pikëve.
Nga Julia Vrapi