ISHP studim për higjienën në spitale, QSUT në gjendje alarmante
Sa hyn në pavijonet e QSUT-së, era e keqe është evidente, e cepat e shkallëve që duket sikur nuk janë pastruar kurrë bien në sy ngado. Për më tepër korridoret e brendshme ka plot raste kur i gjen të papastra por fakti më skandaloz janë tualetet që pothuajse
gjithë ditën janë me dyer të hapura e shumica e tyre janë pa lavamanë të shkatërruara dhe pa minimumin e pastërtisë. Aty duket sikur nuk është vënë kurrë dorë nga pastrueset të cilat në shumicën e rasteve nuk kanë mjete e nuk kanë qenë të pakta rastet kur vetë këto punonjëse i kanë blerë me paratë e tyre kovat, leckat apo mjetet e tjera për pastrim. Por edhe në rastet kur nuk ka probleme mjetesh janë vetë këto punonjëse që në mënyrë të papërgjegjshme i lënë tualetet në pikë të hallit. Çdo panoramë që mund të shohësh në të gjitha pavijonet e QSUT-së të sjell ndër mend ËC publike të cilat janë mbartëse të infeksioneve e sëmundjeve infektive. Por as më shumë e as më pak edhe në tualetet, dhomat apo korridoret e spitalit më të madh në vend infeksionet e mikrobet janë kthyer tashmë në mysafirët e përhershëm të spitaleve. Nëse halli të bie të zësh dyert e spitalit, atëherë duhet të lutesh që të mos biesh pre e ndonjë infeksioni për shkak të higjienës tepër të ulët. Një nga problemet kryesore të pacientëve janë tualetet, për të cilat janë edhe pjesa më e madhe e ankesave. Shqetësimi nuk mbaron me kaq, se pas banjave, vjen gjendja alarmante e garderobës së spitalit, reduktuar së fundi në shtrimin e shtratit.
Studimi
Këtë e pohojnë vetë pacientët gjatë një vëzhgimi në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", madje ky shqetësim është konkretizuar edhe në një studim të Departamentit të Shëndetit Publik, në ISHP, pas anketimit të pacientëve nëpër pavijonet e spitalit. Specialistët, theksojnë se higjiena e dobët është bërë shkak për rritjen e infeksioneve tek pacientët, gjatë qëndrimit të tyre në spital. Të lëna pas dore dhe papërgjegjshmëri nga personeli përkatës, për t'i mirëmbajtur banjat e spitalit. Pacientët kalojnë pothuajse gjithë kohën në dhomat e spitalit, ndaj dhe interesi i tyre është i lidhur ngushtë me higjienën e tyre, duke filluar nga shpeshtësia e pastrimit, lloji i pastrimit dhe procedurat e këtij pastrimi. E megjithatë, të dhënat e studimit tregojnë se rreth 28 për qind e pacientëve, janë të pakënaqur me higjienën e dhomave. Sipas specialistëve, kjo shifër duhet të merret në konsideratë nga drejtuesit e spitalit, për përmirësimin e situatës. Gjithashtu pacientët, pohojnë se për të siguruar një ambient më të pastër në dhomat e spitalit, shpesh të afërmit e tyre e bëjnë vetë larjen e dhomës. Sipas studimit më të fundit të ISHP-së pacientët theksojnë se duhet të merren masa sa më shpejt për një higjienë më të mirë, sidomos atë të banjave.
Higjiena në dhomë
Gjendja e dhomës, sa i takon garderobës dhe shtrimit të shtratit, është një tjetër shqetësim me të cilin duhet të ndeshen pacientët. Sipas specialistëve të ISHP-së dhomat përbëjnë mjedisin ku pacientët kalojnë pjesën më të madhe të kohës gjatë qëndrimit të tyre në spital, ndaj dhe në studim këtij elementi iu la një hapësirë për pasqyrimin e mendimeve të tyre rreth 25 për qind e pacientëve shprehen të pakënaqur, pasi në krevatet e pacientëve nuk nxirren kurrë jashtë për tu ajrosur e si shkak i kësaj në shumë raste në brendësi ose në pjesën e poshtme të tij pacientët deklarojnë se kanë gjetur insekte të ndryshme.
Arta AGOLLI