E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania “dhunon”Anglinë e Fabio Kapelos

BLOEMFONTEIN- Gjermania shkatërron 4-1 Anglinë dhe kalon në çerekfinale të Kupës së Botës. Në një ndeshje spektakolare, më e bukura e këtij Botërori, skuadra e drejtuar nga Joakim Lëv ka arritur të nxjerrë jashtë britanikët, të nisur si favoritë në Afrikën e Jugut. Ka qenë një ndeshje tepër e madhe ajo e zhvilluar në Blumfontein, ndërsa gjermanët kanë treguar edhe njëherë se pavarësisht diferencave në cilësi, mund të arrijnë të mposhtin këdo. Anglezët mund të qajnë një gol të anuluar në mënyrë të padrejtë në pjesën e parë, gjë që do ta çonte takimin në 2-2, megjithatë paraqitja e tyre ka qenë shumë poshtë skuadrës përfaqësuese gjermane. Fabio Kapelo, trajneri më i paguar i këtij Botërori, është poshtëruar përballë rivalit të tij Joakim Lëv. Pavarësisht golit të anuluar, pavarësisht gjithçkaje, Gjermania e ka merituar të kalonte më tej. Fjalët e Franc Bekenbauerit se anglezët u treguan idiotë që nuk evituan një përplasje me gjermanët, u kthyen në një profeci të vërtetë. Anglia duhet të kishte fituar grupin e saj për të mos u ndeshur kaq shpejt me një skuadër që jo rastësisht ka fituar 3 Kupa Bote dhe ka shkuar tre herë në finale.
Ndeshja
Takimi nisi më i mirë për Gjermaninë, e cila ka kontrolluar lehtësisht lojën, duke dhuruar disa lëvizje magjike në fushë. Mesut Ozil gaboi një rast të pastër në minutat e para, ndërsa në të 20-tën, një top i nisur nga portieri Nojer, e gjeti të papërgatitur mbrojtjen angleze. Klose përfitoi dhe arriti të kalonte portierin Devid Xhejms, duke kaluar gjermanët në avantazh. Goli i çliroi futbollistët e Lëv, që humbën një tjetër rast të mirë, sërish me Klosen. Por, në minutën e 32-të Lukas Podolski arriti të gjejë golin e dytë, me një goditje të befasishme në zonë. “Shock” në radhët e Anglisë, që hidhet e tëra në sulm. Mbrojtësi Apson, ai që gaboi në dy raste, shkurtoi diferencën pas një krosi të Xhejms Milner në minutën e 37-të. Anglezët e shohin veten sërish në lojë dhe vetëm dy minuta më pas Frenk Lampard shënon një tjetër gol, por anësori mendon që topi nuk e ka kaluar vijën. Në të vërtetë, topi ishte një metër brenda, por gjermanët mund ta quajnë një hakmarrje për finalen e vitit 1966. Në pjesën e dytë, Gjermania është më e kujdesshme, ndërsa sulmet angleze janë të paqarta. Minuta e 67-të sjell edhe golin e tretë për gjermanët, pas një kundërsulmi të shpejtë. Shvajnstajger pason për Myler, që mposht për herë të tretë Xhejms. Pa kaluar mirë ky moment, një tjetër kundërsulm sjell edhe golin e nokautit. Ozil del i vetëm nga e majta dhe pason në qendër për Myler, që nuk e ka të vështirë të shënojë sërish. Reagimi i Anglisë është i vakët dhe vetëm një gjuajtje e Xherard nuk mjafton për të përmbysur shifrat.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rezultatet live ne faqen e FIFA-s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›