Gjici: Krenarë, Kukësi luan pa presion
Po sot do të luajë edhe Kukësi ndeshjen e kthimit të Ligës së Europës. Verilindorët janë mundur 0-2 në “Qemal Stafa” nga Trabzonspori dhe thuajse është eliminuar. Megjithatë, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka deklaruar: “Kukësi e shkroi emrin e tij dhe jemi krenarë të gjithë për atë që bëri në Kupat e Europës. Natyrisht, ka keqardhje, pasi të paktën mos shkonim me këtë rezultat në ndeshjen e kthimit në Turqi. Në Trabzon do të luajmë pa kurrfarë presioni, pastër dhe fort. Jo vetëm që nuk do të turpërohemi, por do të luajmë ato pak shanse minimale që ne kemi për t’u kualifikuar. Në futboll ndodhin mrekulli, fundja nuk kemi çfarë të humbim, kështu që do të luajmë pa frikë edhe në këtë transfertë, ashtu siç kemi bërë në tre ndeshjet jashtë fushës sonë, ku jemi mundur vetëm në Ukrainë, edhe aty me një gol.” Trabzonspor-Kukësi do të luhet në orën 18:30 me orën tonë, por nuk do të transmetohet direkt për publikun shqiptar. (e.i/balkanweb)