E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti britanik diskuton për Sirinë: Të shpëtojmë civilët

BRITANI - Britani po përgatitet të vërë në zbatim kërcënimin e saj për një reagim serioz në Siri. Parlamenti Britanik diskutoi sot rreth ndërhyrjes ushtarake në Siri. Kryeministri David Cameron bëri thirrje që cdo veprim duhet të jetë i matur, teksa theksoi domosdoshmërinë për shpëtimin e civilëve në Siri. 

Ndërkohë, opozita laburiste britanike ka në plan të votojë sot pasdite kundër mocionit të qeverisë mbi principin e ndërhyrjes ushtarake në Siri, u shpreh një burim nga kjo forcë politike.

Dje, Britania i dorëzoi një rezolutë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të autorizuar masat e nevojshme për të mbrojtur civilët në Siri. Ndërkaq, inspektorët e Kombeve të Bashkuara kanë rinisur sot hetimet në vendin ku dyshohet se ndodhi sulmi me armë kimike afër Damaskut.

Qeveria siriane e mohon plotësisht përfshirjen në këtë ngjarje të rëndë dhe fajëson forcat kryengritëse. Sipas tyre, sulmi u krye nga rebelët, të cilët në pamundësi për të mbrojtur gjatë këtë territor, zgjodhën përdorimin e armëve kimike.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›