Gjici “hap thesin”, 300 mijë euro për Kukësin nëse kalon Trabzonsporin
Është ndezur edhe më shumë atmosfera në prag të ndeshjes Kukësi-Trabzonspor, e vlefshme për “play-off” të Ligës së Europës. Plot 300 mijë euro shpërblim do të jepen nga presidenti i Kukësit, Safet Gjici, në rast se skuadra kalon edhe këtë raund. Gjici ka dhënë një konferencë shtypi para ndeshjes së “play-off”-it të Ligës së Europës me turqit e Trabzonsporit, ku ka bërë publike edhe shifrën e premios që ka vënë për ekipin e tij nëse arrijnë të kualifikohen dhe të shkojnë në fazën e grupeve të këtij kompeticioni. Gjici i ka pohuar se të tijtë janë të motivuar për ta fituar edhe këtë ndeshje shumë të vështirë, ndërsa kërkoi mbështetjen e tifozërisë, e cila pritet të jetë në stadium si asnjëherë tjetër. Sa i takon koreografisë së Tifozërisë, dy flamuj gjigantë, me afro 1000 metra katror, do të zbulohen në tribunën përkarshi, një me stemën e Kukësit, ndërsa flamuri tjetër do të jetë ai kombëtar. Tifozët turq kanë kërkuar 400 bileta gjithsej, ku vetëm 100 do të vijnë nga Turqia, pjesa tjetër do të jenë kryesisht turq që punojnë në vendin tonë, ose përfaqësues dhe biznesmenë të firmave të ndryshme. (Eduard.Ilnica/balkanweb)