Britania: Opozita ta sfidojë qeverinë në Parlament
Ministri britanik për Europën, David Lidington, shfrytëzoi dje një vizitë në Tiranë për të lëshuar mesazhet politike për mazhorancën dhe opozitën. Në takimet e zhvilluara me krerët e lartë të shtetit, Lidington theksoi se për komunitetin ndërkombëtar zgjedhjet lokale ishin një test i rëndësishëm për angazhimin e Shqipërisë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në lidhje me çështjen e votave në kutitë e gabuara, ministri vuri në dukje se nuk i takon Mbretërisë së Bashkuar të gjykojë. Ai sugjeroi se ndërsa është e vështirë të kundërshtohet parimi se çdo votë duhet numëruar, është gjithashtu e rëndësishme vazhdimësia në zbatimin e rregullave, si pjesë e një procesi të ndershëm. Mbretëria e Bashkuar thotë se do të presë raportin final të ODIHR-it për zgjedhjet lokale. Në takimet që pati dhe në një deklaratë për mediat, ministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet partnere si Prokuroria e Përgjithshme. “Është e rëndësishme për Shqipërinë që ligji të zbatohet drejt, fort dhe pavarësisht nga pozicioni apo përkatësia e individëve. Kjo çështje është gjithashtu e nevojshme për të përparuar drejt BE-së”, u shpreh Lidington. Ministri shtoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet një përkrahëse e fortë e ambicieve Europiane të Shqipërisë. “Çdo vend që është në Europë dhe dëshiron të hyjë në Bashkimin Europian, duhet të ketë mundësinë ta bëjë këtë sapo të plotësojë kushtet për anëtarësim. Mbretëria e Bashkuar nuk bie dakord me ata që thonë se duhet bërë një pauzë me zgjerimin pas anëtarësimit të Kroacisë”, vlerësoi ministri britanik. Megjithatë, ai shprehu shqetësim të madh për efektin e krizës politike shqiptare mbi procesin e integrimit, dhe shtoi se Shqipëria rrezikon të mbetet prapa, ndërsa fqinjët e saj ecin përpara. “Miqtë e Shqipërisë e kanë të vështirë të mbrojnë kauzën e Shqipërisë në Bruksel për aq kohë sa qeveria dhe opozita të marrin përgjegjësitë dhe të punojnë se bashku për ta çuar Shqipërinë përpara. Nuk i takon Mbretërisë së Bashkuar të diktojë si, por duhet njohje reciproke e roleve të qeverisë dhe opozitës. Çdo qeveri duhet të njohë dhe respektojë të drejtën e një opozite vigoroze, për t’i kërkuar llogari Qeverisë për performancën e saj”, këmbënguli Lidington, sipas të cilit është gjithashtu e rëndësishme që opozita të përdorë Parlamentin si mjeti parësor për të sfiduar qeverinë. Gjatë takimeve të zhvilluara ditën e djeshme, ministri britanik për Europën, David Lidington, theksoi mbështetjen e fortë dhe të bashkuar të të dy vendeve për pavarësinë dhe integritetin e Kosovës, dhe për bashkëpunimin e mirë në NATO, ku Mbretëria e Bashkuar vlerëson kontributin e Shqipërisë në Afganistan.