E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalët evropianë i kërkojnë 5 vendeve të BE të njohin Kosovën

Këshilli i Partive Liberale, Demokratike dhe Reformatore të Evropës (ELDR), i cili zhvilloi punimet në Romë të Italisë, ka aprovuar një rezolutë për Kosovën, të paraqitur nga Partia Liberale e Kosovës, si anëtare fuqiplote e ELDR. Përmes kësaj rezolute, në kuadër të perspektivës evropiane të Kosovës dhe vendeve të Evropës Juglindore kërkohet lëvizja e lirë e këtyre

vendeve brenda rajonit dhe në Bashkimin Evropian, si faktor kryesor për paqe, stabilitet dhe progres në tërë Evropën. Po ashtu, përmes kësaj rezolute kërkohet nga pesë vendet anëtare të BE, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta njohin Republikën e Kosovës dhe së bashku me vendet tjera të Evropës Juglindore edhe Kosova të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave dhe në proceset integruese në Bashkimin Evropian. Në fjalën e tij me këtë rast, kryetari i PLK, Gjergj Dedaj falënderoi autoritetet e larta dhe partitë anëtare të ELDR për mbështetjen e fuqishme që i kanë dhënë Kosovës në dy dekadat e fundit. Njëherësh ai ka shtuar se Republika e Kosovës është pjesë historike, gjeografike dhe politike e Evropës dhe si e tillë duhet sa më parë të inkuadrohet dhe të përfshihet në institucionet euroatlantike. Rezolutën për Kosovën, të cilën e paraqiti PLK, krahas 50 partive liberal demokratike anëtare të këtij grupimi të fuqishëm evropian, e mbështeti edhe Ibrahim Gashi, nënkryetar i AKR, po ashtu pjesëmarrës në takimin e këtij Këshilli. Në ditëlindjen e dytë si shtet i pavarur, Kosova njihet nga 65 shtete, nga 192 shtete sovrane anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë njohur Republikën e Kosovës formalisht. Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian gjithashtu e kanë njohur Kosovën (22 nga 27). Anëtarët e BE vendosin individualisht se a do ta njohin Kosovën, ndërsa BE ka dërguar misionin EULEX për të siguruar paqe mbikëqyrje të jashtme. Njëzetenjë anëtarë të NATO nga njëzetë e gjashtë gjithsej dhe të dy shtetet e ftuara për anëtarësim (Shqipëria dhe Kroacia) e kanë njohur Kosovën. Njohjet e para filluan menjëherë pas disa orësh, ndërsa më 27 shkurt 2008, Gjermania ishte shteti i parë që emëroi ambasadorin e saj në Kosovë. Më 8 mars 2008, ministri i parë i jashtëm që e vizitoi Kosovën ishte Carl Bildt, ministër i jashtëm i Suedisë. Autoritetet shpresojnë se ky numër do të rritet. Ministria e jashtme u ka dërguar letra të gjitha vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë me argumentime se Kosova meriton të jetë shtet dhe se kontribuon për stabilitetin e  rajonit. Edhe një kompani izraelite tashti e disa muaj është angazhuar nga qeveria e vendit që me reklama në mediumet më të fuqishme të botës ta bëjë promovimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, u dërguan letra në drejtim të të gjitha qeverive të botës për njohjen e saj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›