E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i SHISH-it, maxhoranca sfidon SHBA

TIRANE-Maxhoranca sfidon Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare pritet të kalojë sot për miratim amendamentet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Lajmi është konfirmuar dje për "Gazeta Shqiptare" nga kreu demokrat i këtij komisioni, Leonard Demi. I kontaktuar në telefon, ai nuk ka pranuar të japë edhe ndonjë koment më shumë veç faktit se "mbledhja e komisionit është thirrur nesër (sot) në ora 12:00". Ndryshe nga Demi, një tjetër përfaqësues i maxhorancës ka preferuar të jetë më i drejtpërdrejtë në mbrojtjen e projektligjit për SHISH-in, të kontestuar ashpër nga qeveria amerikane. Deputeti demokrat në komisionin e Ligjeve, Eduart Halimi deklaroi dje në një intervistë për televizionin "Alsat", se drafti nuk ka asnjë amendament antikushtetues. Madje në funksion të këtij qëndrimi ai shkoi më larg, duke mos ngurruar të ironizojë ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, John Withers. "SHISH ka qenë dhe vazhdon të jetë një institucion në varësi të kryeministrit. Nuk ka qenë sot, është që në momentin kur është krijuar. Drejtori i SHISH-it emërohet nga Presidenti i Republikës me propozim të kryeministrit dhe ky është një fakt që në të vërtetë nuk është ndryshuar. Po ashtu dhe raportimi, ashtu siç dhe vetë e kërkoi drejtori i SHISH-it, do të rregullohej me të njëjtin vendim qeverie që ka funksionuar nga viti 1999 dhe në vijim dhe nuk ka ndonjë shkelje të ndonjë parimi. Nuk di cili është detaji që ka shqetësuar ambasadorin amerikan, sigurisht ato janë amendamente që nuk kanë kaluar në seancë plenare. Mund të paraqiten në komisionin përkatës", - tha Halimi. Ai pretendoi më tej se hartimi i këtij projektligj është bërë në bashkëpunim me ekspertët e SHISH-it. Ndërsa shtoi se edhe vetë kreu i këtij institucioni, Bahri Shaqiri nuk ka kundërshtuar asnjë prej amendamenteve gjatë diskutimit në komisionin e Ligjeve. "Të gjitha amendamentet kanë qenë amendamente që janë pranuar tërësisht nga drejtori i SHISH-it. Kanë qenë amendamente të propozuara dhe prej tij, dhe deri në fund të seancës nuk pati asnjë reagim nga drejtori i SHISH-it", - përfundoi Halimi.
Reagimi i SHBA
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të shqetësuara mbi draftin e ri të SHISH-it, të miratuar në komisionin parlamentar të Ligjeve. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers në një konferencë të posaçme shtypi deklaroi tri ditë më parë se amendamentet në formën e miratuar cenojnë pavarësinë e SHISH-it nga ndërhyrjet politike e për pasojë prishin imazhin e Shqipërisë. Për këtë arsye ai kërkoi rishikimin e draftit nga ekspertë ndërkombëtarë. "Është me rëndësi jetike që SHISH të mbetet profesional, i pavarur dhe i lirë nga të gjitha ndërhyrjet politike. Jemi të shqetësuar që projektligji i minon këto parime. Si rrjedhojë, ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit, Shërbimit Informativ shqiptar, të cilat janë shqetësuese. Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj ndërkombëtar. Ne druhemi se ky projektligj, në formën e tij aktuale po e dëmton këtë imazh, ndaj nxisim me forcë që ekspertë ligjorë ndërkombëtarë të lejohen të kryejnë një rishikim të gjithanshëm të projektligjit, përpara se parlamenti të ndërmarrë ndonjë veprim të mëtejshëm", - deklaroi Withers.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›