E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimnastikë, Kondi, i pari në “Grand Prix Praga 2009”Në këtë turne, midis gjashtë shteteve, është përfaqësuar dhe Shqipëria me gjimnastët Pandeli Kondi dhe Hermal Berberi.

Rrjetet sociale:

Ka përfunduar në Pragë të Çekisë turneu ndërkombëtar i gjimnastikës për të rinj e të reja “Grand Prix Praga 2009”. Në këtë turne, midis gjashtë shteteve, është përfaqësuar dhe Shqipëria me gjimnastët Pandeli Kondi dhe Hermal Berberi. Dueti kuqezi u shoqërua në kryeqytetin çek nga trajneri Shkëlqim Muhameti. Sipas sekretares së përgjithshme të federatës, Fatbardha Shtrepi, suksesi më i madh ishte ai i sportistit Kondi, i cili në gjashtëgarëshin gjimnastikor u rendit i pari përkrah 17 bashkëmoshatarëve, pjesëmarrës në konkurrim. Në renditjen e përgjithshme, Kondi grumbulloi 71.20 pikë në total. I riu shqiptar nuk u mjaftua me podin vetëm në shumëgarësh, por edhe në veglën e hekurit gjimnastikor zuri vendi e parë me 12.05 pikë. Gjithashtu prezantim të kënaqshëm ka bërë në “Grand Prix Praga 2009” Hermal Berberi, që u rendit i katërti në hekur. Në klasifikimin e përgjithshëm, ai siguroi 53.40 pikë. Në fund të turneut ndërkombëtar u ndanë kupa e premio për fituesit. Pjesëmarrja e sportistëve tanë në turneun e Çekisë u bë e mundur në sajë të angazhimit maksimal të federatës dhe numrit dy të saj, Fatbardha Shtrepit. Ky është suksesi i dytë i gjimnastikës shqiptare brenda pak muajve të arritur në Republikën Çeke, pas atij të Alon Hasës në kampionatin kombëtar, ku grumbulloi 88.50 pikë. Në këtë garë, gjimnasti i ekipit tonë kombëtar meritoi vendin e parë me notën 14.50 pikë në kalin me doreza, vegla më e vështirë për meshkuj, si dhe vendin e dytë në unazë me 14.10 pikë.

Olgert Serani (Panorama Sport)

Numri i klikimeve - 1414
  E Marte, 27 Tetor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›