Gjimnazet, shtyhen për javën e ardhshme regjistrimet për vitet e para
Jonida Tashi
Regjistrimi i nxënësve për në vitin e parë të gjimnazit pritet të nis javën që vjen. Megjithëse drejtoritë arsimore kishin urdhëruar drejtuesit e gjimnazeve që regjistrimi i nxënësve të niste që në datën 29 qershor, mosxjerrja e rezultateve të provimeve të Lirimit ka bërë që ky proces të shtyhet në kohë. Tashmë pritet dalja e notave për dy provimet e Lirimit dhe marrja e dëftesës që vërteton përfundimin e shkollës 9-vjeçare, që nxënësit të drejtohen drejt gjimnazeve. Të njëjtin fat me nxënësit që dalin këtë vit nga bankat e arsimit të detyruar do të kenë edhe ata që e kanë mbaruar klasën e nëntë një vit më parë, por që nuk mundën ta nisin gjimnazin, pasi nuk kishte përfunduar ndryshimi i sistemit arsimor.
Procedura
Këtë vit, Ministria e Arsimit ka vendosur të ndryshojë procedurën e përhershme të regjistrimit në gjimnaz. Kështu, regjistrimet në gjimnazet publike, shkollat artistike si dhe ato sportive, do të kryhen menjëherë pas shpalljes së rezultateve të provimeve të Lirimit dhe jo më në fillimin e vitit shkollor. Sipas afateve të përcaktuara nga MASH-i, regjistrimi në arsimin e mesëm do të çelej më datë 29 qershor dhe do të mbyllej më datë 10 korrik. Por, pavarësisht ndryshimit të afatit të regjistrimit, nxënësit do të kenë sërish dy javë kohë për të përgatitur të gjithë dokumentet e nevojshme për të bërë regjistrimin në gjimnaz. Ndërkohë, përveç ndryshimit të kohës së regjistrimit, këtë vit çdo nxënës që do të regjistrohet në arsimin e mesëm, duhet të jetë i shoqëruar në momentin e regjistrimit nga njëri prej prindërve. Arsyeja e marrjes së këtij vendimi lidhet me njohjen e prindërve me të drejtat që gëzojnë fëmijët dhe detyrimet që ata kanë në shkollë.
Regjistrimi
Përveç ndryshimit të periudhës së regjistrimit MASH-i ka vendosur që këtë vit regjistrimi në shkollat e mesme të bëhet në bazë të ndarjes territoriale dhe jo kundrejt dëshirës së nxënësve. E thënë ndryshe, nxënësit janë të detyruar të ndjekin arsimin e mesëm në gjimnazin që ndodhet më afër vendbanimit të tyre, që do të vërtetohet nga dokumenti i identifikimit të tij. Vendimi i nxjerrë së fundmi nga drejtoritë arsimore për regjistrimet në arsimin e mesëm do të jetë i vlefshëm për të gjitha shkollat në vend. Ndërkohë që pas afatit të fundit të caktuar, nuk do të lejohet regjistrimi i asnjë nxënësi në gjimnaz. Për të kryer regjistrimin nxënësi duhet të paraqesë në sekretarinë e shkollës ku do të vazhdojë arsimin e mesëm, dëftesën e shkollës 9-vjeçare. Drejtues të shkollave bëjnë të ditur se dorëzimi i dokumentit që vërteton mbarimin e arsimit 9-vjeçar, duhet të bëhet në prani të njërit prej prindërve, i cili duhet të ketë me vete mjet identifikimi.
Gjimnazet profesionale, datat e konkurseve të pranimit
Gjimnazet profesionale kanë përcaktuar datat në të cilat do të mbahen konkurset e pranimit për nxënësit e viteve të para. Ashtu siç është përcaktuar tashmë, pranimet në shkollat e mesme profesionale, gjuhët e huaja si edhe seksionet dy-gjuhësh italiane, do të bëhen me konkurs. Në shkollat sportive konkurset do të zhvillohen deri në datën 10 gusht, ndërsa në shkollat artistike dhe koreografike, testimet do të kryhen nga data 24-28 gusht. Ministria e Arsimit ka vendosur që afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve në shkollat e specialiteteve të jetë data 15 korrik. Për të marrë pjesë në konkurs, kandidatët duhet të dorëzojnë në sekretaritë e shkollave përkatëse këto dokumente: fotokopje të noterizuar të dëftesës së lirimit të firmosur në drejtorinë arsimore rajonale, certifikatë lindje me fotografi të vulosur nga shkolla, ku kandidati ka marrë dëftesën e lirimit si edhe kërkesë për degën që do të studiojë.
10 Korrik 2009