E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese kufizon kompetencat e kancelarëve të gjykatave

Por vendimi u njeh kancelarëve të drejtën për të mbikëqyrur shortet e gjyqtarëve. Shoqata e Gjyqtarëve kërkoi shkëputjen totale të kancelarëve nga ministri i Drejtësisë

Më në fund, kancelarët e gjykatave, të emëruar direkt nga ministri i Drejtësisë, nuk do të jenë “zot” të administratës gjyqësore. Shoqata e Gjyqtarëve ka fituar betejën e saj kryesore në Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka kufizuar kompetencat e kancelarit të gjykatave të Shqipërisë me vendimin e saj më të fundit të shpallur vetëm një ditë më parë. Ky vendim i Gjykatës e ka konsideruar si cenim të Kushtetutës kompetencat e reja që ligji i dha kancelarit të Gjykatës për “emërimin dhe shkarkimin e personelit të sekretarisë gjyqësore dhe personelin administrativo-teknik të shërbimeve të Gjykatës” dhe “mbikëqyrjen e procesit të organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit si dhe nënshkrimin e përcjelljes së praktikës së çështjes gjyqësore te gjyqtari i caktuar”. Sipas Kushtetueses, këto kompetenca cenojnë rëndë pavarësinë e pushtetit gjyqësor nga Ekzekutivi, përmes kancelarit, i cili emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë. Kërkesa për shfuqizimin e këtij ligji është bërë nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, ndaj Ligjit Nr. 9877, të miratuar në Parlament më 18 shkurt 2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”.
Pretendimi
Kërkuesi (Shoqata e Gjyqtarëve) dhe subjekti i interesuar, KLD-ja, pretendojnë se përjashtimi i kryetarit të Gjykatës nga procesi i emërimit dhe i shkarkimit të personelit të shërbimeve ndihmëse në gjykatë cenon parimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Sipas tyre, me pozicionin e ri që kancelari dhe administrata gjyqësore kanë marrë sipas ligjit, objekt i këtij gjykimi kushtetues, administrata gjyqësore vihet në varësinë vertikale të ministrit të Drejtësisë, sepse kancelari i gjykatës është në varësinë direkte të ministrit. Pavarësia e gjyqtarëve perceptohet si pavarësi e gjykatave dhe këtu administrata ka një rol vendimtar, pa të cilin nuk mund të ushtrohet veprimtaria gjyqësore. Nga ana tjetër, subjektet e interesuara, Kuvendi dhe KM, në kundërshtimet e tyre, mbajnë qëndrimin se rregullimi i ri që ka bërë ligji në Nenin 38/a, nuk cenon pavarësinë e Gjyqësorit pasi termi “pavarësi” i referohet gjyqtarit ose trupit gjykues në rastin e çështjes konkrete, kur gjyqtari jep vendimin, pra ushtron funksionin e dhënies së drejtësisë. Qeveria pretendoi se linja logjike që përshkon në tërësi Ligjin Nr. 9877 është realizimi i një ndarjeje të pastër, reale dhe pa asnjë konfondim midis dy veprimtarive në ambientet e gjykatës: funksioni i gjyqësisë (i dhënies së drejtësisë); dhe veprimtaria mbështetëse në shërbim të gjyqtarëve dhe në shërbim të publikut. Sipas qeverisë, këto janë dy veprimtari të ndryshme që nuk pengojnë njëra-tjetrën dhe, për rrjedhojë, nuk ka nevojë dhe nuk është i domosdoshëm krijimi i marrëdhënieve të varësisë hierarkike midis tyre.
Vendimi
Gjykata, bazuar në pretendimet mes palëve, vërejti se ligji jo vetëm që nuk i ngarkon kryetarët e gjykatave me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për organizimin dhe funksionimin e administratës gjyqësore, por nuk i njeh as instrumentet e duhura ligjore, të cilat do të bënin të mundur drejtimin dhe kontrollin e shërbimeve ndihmëse në gjykatë. Sipas Kushtetueses, shmangia e drejtuesve të gjykatave nga kjo përgjegjësi nuk shkon në mënyrë harmonike me kushtet që kërkohen për t’u zgjedhur kryetar (Neni 16) ku, ndër të tjera, kërkohet që kandidati të ketë “aftësi organizative dhe manaxhuese”. Skema e varësisë hierarkike ministër Drejtësie – kancelar – administratë gjyqësore, që parashikon ky ligj, sipas gjykatës, mund të rezultojë në një situatë ku veprimtaria e gjykatës të varet nga veprimet e kancelarit, i cili emërohet dhe shkarkohet pa kritere të përcaktuara nga ministri i Drejtësisë.
H. Hasani

Vendimi, Kushtetuesja i njeh kancelarit mbikëqyrjen e shortit të gjyqtarëve

“Gjykata e vlerëson kompetencën e kancelarit për emërimin dhe shkarkimin e personelit administrativo-teknik edhe në drejtim të ndikimit që mundëson kjo kompetencë në çështjet e administrimit financiar. Personeli i sektorit të financave është pjesë e personelit të shërbimeve ndihmëse në gjykatë. Kompetenca e kancelarit për të emëruar dhe shkarkuar edhe personelin e sektorit të financave, duke shmangur kryetarin e gjykatës, e vendos këtë sektor në vartësi të drejtpërdrejtë të tij. Për rrjedhojë, ky rregullim bie në kundërshtim me Nenin 144 të Kushtetutës, sipas të cilit gjykatat e administrojnë vetë buxhetin e tyre (Neni 40/1 i Ligjit Nr.9877). Për sa më sipër, gjykata arrin në përfundimin se Neni 38/a i Ligjit Nr.9877, ku parashikohet se: ‘kancelari emëron dhe shkarkon personelin e sekretarisë gjyqësore dhe personelin administrativ teknik...’ bie në kundërshtim me standardet e mësipërme kushtetuese lidhur me pavarësinë e gjykatave dhe të gjyqtarëve, lexuar së bashku me parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. Gjykata, lidhur me këtë kompetencë të kancelarit, të parashikuar nga Neni 38/b i ligjit objekt shqyrtimi, vëren se, ligji parashikon se ndarja e çështjeve gjyqësore bëhet me short sipas procedurave të caktuara me vendim të KLD-së (Neni 9). Gjykata është shprehur se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka detyrën për të realizuar ‘vetëqeverisjen’ e Gjyqësorit dhe, sipas Nenit 147 të Kushtetutës, është organi kushtetues i pozicionuar në majën e piramidës organizative të pushtetit gjyqësor. Për të realizuar vetëqeverisjen e Gjyqësorit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet në shumicën e tij nga gjyqtarë, të cilët, duke ushtruar funksionet e tyre si të tillë, realizojnë lidhjen me korpusin gjyqësor. Frymën e vetëqeverisjes në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kushtetutbërësi e ka përfshirë me qëllimin për ta bërë gjykatën të pavarur nga ndërhyrjet e çdo pushteti tjetër (shih vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr.11, datë 02.04.2008; nr.14, datë 22.05.2006). Gjykata vlerëson se në këtë rast, roli i kancelarit është thjesht mbikëqyrës i procedurave të caktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ky parashikim është në thelb një aspekt i kontrollit të pushtetit ekzekutiv ndaj Gjyqësorit dhe, sipas Gjykatës, përfaqëson një mekanizëm të përshtatshëm në përputhje me parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. E rëndësishme është që procedura të rregullohet në mënyrë të tillë që të shmangë influencën në shpërndarjen e çështjeve nga ndonjë palë, nga administrata, nga qeveria ose nga çdo person tjetër, të cilit i intereson rezultati i çështjes. Për sa më sipër, Gjykata, pretendimin e kërkuesit se kompetenca e kancelarit për të mbikëqyrur procesin e organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit, sipas Nenit 38/b, cenon parimet kushtetuese të parashikuara nga nenet 4, pika 2; 7 dhe 145, e çmon të pabazuar”.

Shoqata e Gjyqtarëve kërkoi shkëputjen e kancelarit nga varësia e ministrit

Kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve, Manjola Bejleri, bëri pak javë më parë të ditur se “emërimi i kancelarit nga ministri i Drejtësisë tregon qartë një varësi vertikale të administratës gjyqësore nga Ekzekutivi”. Sipas saj, kjo dispozitë e parashikuar në projektligjin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë bie në kundërshtim me Nenin 145/1 të Kushtetutës, që sanksionon se gjyqtarët janë të pavarur. “Miratimi i këtij projekti, i cili është vazhdim i ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor, do të krijonte jo vetëm papajtueshmëri me Kushtetutën në cenim të pavarësinë e të pushtetit gjyqësor, por sjell dhe çorganizim të punës së përditshme të administratës gjyqësore”, - është shprehur Bejleri. Ajo bëri të ditur se projekti në fjalë rrit së tepërmi kompetencat e ministrit të Drejtësisë, i cili vendos për emërimin dhe shkarkimin e personelit të administratës gjyqësore. Po kështu, në Nenin 4/2 të projektligjit parashikohet se ministri i Drejtësisë miraton rregulloren e administratës gjyqësore. Kjo sipas Bejlerit bie në kundërshtim me parimet kushtetuese të mosndërhyrjes në veprimtarinë e gjykatave. Ajo ka kundërshtuar dhe Nenin 5 të ligjit që parashikon kompetencat e kryetarit të gjykatës, duke e cilësuar këtë dispozitë diskriminuese për pozicionin e kryetarit të gjykatës, jo vetëm në marrëdhëniet e tij me ministrin e Drejtësisë, por edhe ndaj kancelarit. Bejleri më tej ka kundërshtuar përmbajtjen e nenit 6 të ligjit, i cili parashikon që kancelari të administrojë pasurinë e paluajtshme të ndërtesës së gjykatës. Sipas saj, meqenëse kancelari emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë, kjo dispozitë parashikon që pasuria e paluajtshme të administrohet nga Ekzekutivi duke cenuar pavarësinë financiare të pushtetit gjyqësor. Një tjetër kundërshtim i kryetares së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve ka qenë Neni 7, i cili përcakton që kancelari i gjykatës të emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë sipas procedurave të parashikuara në ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor. Por, sipas Bejlerit, ligji për pushtetin gjyqësor nuk parashikon asnjë procedurë për emërimin apo shkarkimin e kancelarit, ndaj, sipas saj, mbetet që marrëdhënia e kancelarit të vendoset në bazë të Kodit të Punës. Por pika tjetër e nenit shtatë parashikon që nëpunësve të tjerë të administratës gjyqësore t’i jepet statusi i nëpunësit civil, ndërkohë që kancelarit nuk i jepet ky status. Sipas Bejlerit, sipas këtij drafti, vartësit e kancelarit janë më të mbrojtur se ai.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›