E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tabelat shqip 1 euro, Rrokaj përplaset me Berishën



Qeveria nuk e ka marrë aspak parasysh mendimin e gjuhëtarëve për emërtimet e tabelave dhe reklamave. Vendimi më i fundit i qeverisë se taksa 1 euro do jetë vetëm për tabelat e vëna në shqip, na ballafaqon me një fenomen, i cili ka pushtuar të gjitha fasadat dhe zonat e reklamimeve. Të paktën në Tiranë, mania e emërtimeve në gjuhë të huaj është aq e përhapur sa po të vëresh reklamat, mund të mendosh se jeton në një qytet ndërkombëtar. Gjuhëtarët vërejnë me shqetësim se ky fenomen është një presion ndaj gjuhës shqipe, madje e cenon atë. Sipas profesorit Shezai Rrokaj, dashamirësia ndaj gjuhëve të huaja e shprehur në këtë formë, është tërësisht e papranueshme. Rrokaj bën të ditur se gjuhëtarët kanë propozuar disa herë ngritjen e një agjencie, pranë njësive të licencimit të bizneseve, e cila do të kryejë funksionin e organit këshillimor për emërtimet e tabelave dhe reklamave, të cilat duhet të ruajnë identitetin kombëtar.
Pas vendimit më të fundit të qeverisë, dashamirësit ndaj emërtimeve në gjuhë të huaj, duhet të zgjedhin mes xhepave dhe pasionit të tyre. Dy ditë më parë, qeveria vendosi që taksa për tabelat emërtuese të jetë 1 euro. Kryeministri Berisha tha se nga ky vendim do të përfitojnë vetëm ata që emërtesat në tabelat e tyre i kanë në gjuhën shqipe, duke përjashtuar emërtesat e filialeve të kompanive të huaja.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›