Skandali, studentët e Mjekësisë këtë vit pa temë diplome
Për herë të parë këtë vit, studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, do të përfundojnë arsimin e lartë, pa iu dhënë mundësia që të përgatisin temë diplome. Për rrjedhojë, dëshira e mjaft studentëve të Mjekësisë, sidomos atyre me nota të mira, për të pasur pas mbarimit të fakultetit një diplomë në CV-në e tyre është “thyer” nga një urdhër i brendshëm, i nxjerrë nga drejtuesit e këtij fakulteti. Sqarimi i këtyre të fundit, për heqjen e temës së diplomës si një nga dy mënyrat tradicionale për të testuar studentët, ka qenë dyshimi se ata mund t’u servirnin atyre diploma të përgatitura më parë nga paraardhësit e tyre. Por, ky justifikim konktradiktor jo vetëm që ka injoruar studentët e Mjekësisë, të cilët, nuk kanë ditur se ku duhet të drejtoheshin më tej për zgjidhjen e këtij problemi, por ka cenuar edhe ligjin e Arsimit të Lartë në vend dhe rregulloren e Universitetit të Tiranës. Në asnjë prej këtyre dokumenteve nuk thuhet që studentët nuk kanë të drejtë të përgatisin temë diplome në fund të studimeve, madje përcaktohet që testimi përfundimtar për diplomimin e studentëve është pikërisht tema e diplomës ose provimi, në të cilin përfshihen të gjithë dijet që janë marrë gjatë viteve të shkollës së lartë.
Kule: “Viti i ri akademik nuk do të ketë probleme të stafit pedagogjik”
Universiteti i Tiranës nuk do të ketë probleme të stafit pedagogjik dhe ambienteve në vitin e ri akademik 2009-2010. Kështu ka deklaruar dje, rektori i këtij universiteti, Dhori Kule, sipas të cilit, godinat e tetë fakulteteve të UT-së zotërojnë të gjithë kapacitetin e mundshëm, për të pritur rreth 8 mijë studentët e rinj. “I sigurojë studentët që do të kenë staf më cilësor, më të angazhuar për vitin tjetër, më të kompletuar nga pikëpamja numerike”,- tha Kule. Ndër të tjera plot 20 profesorë të huaj nga Italia, Anglia dhe Danimarka pritet që së afërmi të japin mësim në degët e mësuesisë në UT, si pjesë e një projekti 2-vjeçar të Programit “Tempus”, financuar nga Bashkimi Europian me një vlerë prej 805 mijë euro. Kule gjithashtu ka bërë të ditur se pas përfundimit të projektit të detajuar të kampusit, pritet të fillojë puna për ndërtimin e tij. Sipas kreut të UT-së, ndërtimi i këtij kampusi i jep zgjidhje përfundimtare infrastrukturës perëndimore të Universitetit të Tiranës.
10 Korrik 2009