E Diel, 1 Nëntor 2026

Hamza refuzon ofertën e Kurtit për presidentin e Specialen, Sejdiu tërhiqet nga gara

PRISHTINË, 6 tetor/ATSH/ Kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar PDK-së votën për zgjedhjen e presidentit, në këmbim të votave për Ligjin për Dhomat e Specializuara. PDK-ja e ka refuzuar ofertën. Bekim Sejdiu ka rikonfirmuar se është tërhequr nga gara për president.

6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës; nëse Kuvendi dështon, ai shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

Ndërsa partitë ende nuk kanë marrëveshje për presidentin, protestat për ndryshimin e Ligjit për Specialen vazhdojnë edhe sot.

Diplomati dhe juristi kosovar, Bekim Sejdiu, ka konfirmuar se është tërhequr nga gara për presidentin e ri të Kosovës.

Në një reagim në Facebook, Sejdiu tha: “Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj veten pjesë të procesit të zgjedhjes së presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend”, shkroi ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se partia e tij vazhdon të mbajë qëndrim të njëjtë se së pari duhet të kalojnë edhe në lexim të dytë ndryshimet e propozuara në ligjin për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Duke folur në një konferencë për media pas ofertës së Kurtit për votimin e Bekim Sejdiut për president fillimisht, para kalimit të ndryshimeve në ligjin në fjalë, Hamza tha se kërkesa e tyre nuk mund të lidhet me zgjedhjen e presidentit të ri.

“Për ne, radha e gjërave është e qartë. Kemi thënë: së pari ligji në dy leximet”, tha Hamza.

Ai e ka cilësuar ofertën e Kurtit si “detyrim”.

“Nuk ishte ofertë, por një lloj detyrimi. Pa marrëveshje, pa bisedime, ‘ejani votojeni këtë kandidat, ky është kandidati, m’i sillni votat’”, tha Hamza kur u pyet për ofertën.

Ai tha se “për shkak të projektit politik të Vetëvendosjes vendi po shkon në zgjedhje”.

“Do të jetë kosto për qytetarët e Kosovës dhe Kosovën. E keqja është se kanë bërë veprime të qëllimshme dhe planifikuara, pa dashur rezultat. Nuk kanë pasur qëllim t’i kalojnë ndryshimet në ligj në dy lexime”, theksoi Hamza. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›