Gjimnazistët, me armë të ftohta në shkollë

Çaste dobësie, pesimizmi, ndonjëherë edhe depresioni. Shpeshherë ato kapërcehen me ndihmën e shokëve, prindërve, të afërmve, por nuk përjashtohen dhe rastet kur këto pasiguri zgjidhen duke mbajtur dhe armë të ftohta me vete.
Në një anketim të bërë nga Instituti i Shëndetit Publik në 12 qytete të vendit, adoleshentët janë pyetur lidhur me problemet kryesore që i shqetësojnë dhe mënyrën se si ata i zgjidhin shqetësimet që i shfaqen çdo ditë.
“Rreth 20 për qind e meshkujve të intervistuar pohuan të kenë mbajtur armë të ftohta, ndërkohë që 16 për qind e të rinjve deklaruan se nuk kishin shkuar në shkollë të paktën një ditë gjatë 30 ditëve të fundit, sepse ishin ndjerë të pasigurt”, thuhet në studim.
Po ashtu, në anketat e mbledhura nga punonjësit e Shëndetit Publik janë përfshirë pyetje rreth problemeve më shqetësuese për adoleshentët, duke nisur nga vetëvrasja, përdorimi i drogave, alkoolit, duhanit e deri te problemet e mbipeshës.
Sipas ISHP-së, sjelljet e “rrezikshme” për shëndetin janë kontribuuesit kryesorë të shkaqeve të vdekjeve, paaftësisë së përkohshme, apo të përhershme dhe problemeve sociale te të rinjtë.
Adoleshentët në shkollat e mesme sot kanë më shumë shqetësime dhe probleme se sa gjimnazistët e para viteve 1990. Që të kenë shokë u duhet të integrohen sipas rregullave dhe sjelljeve të shumicës, duhet të vishen bukur, të ndjekin modën, pavarësisht mundësive ekonomike që kanë në familje.
Për t’u përshtatur, apo edhe thjesht për inerci, nisin duhanin, duke mos përjashtuar këtu edhe konsumin e lëndëve narkotike. Studimi i Institutit të Shëndetit Publik referon se adoleshentëve u ofrohet drogë edhe në ambientet e shkollës.
Sipas ISHP-së, mendime serioze për të kryer vetëvrasje, u raportuan nga 7 për qind e meshkujve dhe 11 për qind e femrave. Ndërkaq, rreth 10 për qind e të rinjve pohuan se u ishin ofruar lëndë narkotike në mjediset e shkollës.
Më tej, në studim theksohet se: “Të paktën 54 për qind e të rinjve në moshën 15 deri në 19 vjeç raportuan se kishin provuar të pinin duhan, 52 për qind e të anketuarve kishin konsumuar pije alkoolike në muajin e fundit. Jo vetëm adoleshentët, por edhe të rriturit, edhe nënat me fëmijë, kanë probleme me neurozat apo depresionin.
Sipas shërbimit të psikiatrisë, nga 10-15 për qind e shqiptarëve kanë probleme neurozash, adoleshentët shpeshherë përfshihen në procesin e depresionit. Ndërkaq, një pjesë e mirë e të sëmurëve mendorë kurohen shumë me ilaçe dhe pak me trajtim terapeutik.
Psikologu në spital është një punonjës i emëruar pak kohë më parë në disa shërbime shëndetësore.
Ndërsa në shkolla ndihma e punonjësit social është simbolike. Një psikolog apo punonjës social në një gjimnaz nuk mund t’i përballojë të gjitha problematikat e të rinjve, pavarësisht dëshirës dhe vullnetit të mirë për t’i ndihmuar ata.