E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis verifikimi i pronave të përfituara nga ligji 7501

Kjo do të realizohet me vendimin përkatës të qeverisë, ndërkohë që në Qarkun e Durrësit dhe të Fierit janë ngarkuar komisionet shtetërore përkatëse për verifikimin e të gjithë titujve të pronësisë 

TIRANE-Ndizen shpresat e ish-pronarëve për të marrë tokat e tyre apo të kompensohen në zonat bregdetare, ndërkohë që përfituesit në mënyrë të padrejtë të këtyre tokave, në bazë të ligjit 7501 do të dorëzojnë pronat. Kjo do të realizohet me vendimin përkatës të qeverisë, ndërkohë që në Qarkun e Durrësit dhe të Fierit janë ngarkuar komisionet shtetërore përkatëse për verifikimin e të gjithë titujve të pronësisë, dhënë mbi bazën e këtij ligji.
DURRËS
Këto ditë, në prefekturën e Durrësit kanë nisur nga puna për zbatimin e këtij vendimi të qeverisë, konkretizuar me ngritjen e komisionit të verifikimit të titujve të pronësisë. Drejtues të prefekturës pohojnë për Gazetën, se janë 2 mijë dosje për kompensim, por aktualisht nuk ka asnjë metër katror tokë për ish-pronarët në bregdet. Kjo pritet të bëhet pas verifikimit të titujve të pronësisë mbi bazën e ligjit 7501. "Është ngritur komisioni prej 6 vetash, 3 juristë e 3 agronomë, që kryesohet nga prefekti Klodian Pajuni. Objekti kryesor i kontrollit nga ky komision do të jetë bregdeti nga Kepi i Rodonit deri në derdhjen e Përroit të Agait, në afërsi të Golemit. Kjo vijë është e gjatë 43 km e gjatë dhe 1 km e gjerë", -pohon zëdhënësi i prefekturës.
Dilaver Tepelena, sqaron mënyrën e veprimit në rastet kur zbulohen tituj të dhënë jashtë ligjit dhe toka i është nënshtruar transaksioneve më shumë se 1 herë. "Në këtë rast haraçin do ta paguajë pronari i parë i cili ka marrë tokë padrejtësisht. Ai do të paguajë tokën me vlerën reale të tregut dhe këto para do të shkojnë në favor të pronarëve të vërtetë"
FIER
E njëjta procedurë po ndiqet dhe në Qarkun e Fierit. Mesditën e premte, prefekti Shahin Bejdaj ka prezantuar Komisionin e Verifikimit të Titujve të Pronësisë. Dhe këtu Komisioni përbëhet nga 6 vetë dhe do të kryesohet nga Arben Zaimi, nga qyteti i Lushnjes, me profesion agronom, ekonomist dhe jurist. "Në përzgjedhjen e anëtarëve të tij janë pasur parasysh jo vetëm aftësia profesionale, por dhe përkushtimi, paanshmëria dhe guximi në zbatimin e ligjit, pasi kjo është një detyrë e vështirë, që i kërkon patjetër këto cilësi", - u shpreh Bejdaj. Komisionet përkatëse të verifikimit të Titujve të Pronësisë, konfirmohet se do të kenë mbështetjen e të gjitha strukturave shtetërore, me qëllim që kjo detyrë të përfundojë në një kohë sa më të shpejtë.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›