E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjimnazistja vetëvaret në avllinë e shtëpisë

Avllia para shtëpisë ku u vetëvar 18-vjeçarja

Vetëvaret pranë banesës në Tiranë nxënësja e vitit të tretë të një shkolle të mesme jopublike. Adoleshentja i ka dhënë fund jetës pasditen e djeshme, duke u vetëvarur disa metra larg oborrit të shtëpisë, në zonën e Saukut të Vjetër. Laura G., 18 vjeçe, është gjetur e varur me një kabllo si ato që përcjellin rrymën elektrike, në një hekur të avllisë së vilës private ku adoleshentja jetonte me prindërit, motrën dhe vëllain, më të vegjël se ajo. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30 dhe Policia është lajmëruar për ngjarjen nga një punonjës sigurie i një rezidence private që ndej pranë vilës ku ndodhi ngjarja. Efektivat e Komisariatit Nr. 1 kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, por fillimisht ka pasur një farë rezistence nga ana e familjarëve të viktimës, pasi ata kërkonin që trupi të mos transportohej për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Pas disa minutave negociata me të afërmit e adoleshentes, policia i ka bindur që në raste të tilla është procedurë e domosdoshme dhe se autopsia duhej kryer patjetër. Pas gati 30 minutash familjarët janë bindur dhe ambulanca e Morgut të Tiranës ka transportuar trupin e pajetë të 18-vjeçares drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ndërsa oficerët e Komisariatit Nr. 1 kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Aty është sekuestruar një kabllo, të cilën vajza e ka përdorur për të kryer vetëvarjen, pasi e kishte lidhur në një hekur te porta e avllisë së shtëpisë. Më pas janë pyetur për ngjarjen familjarët e saj.
MOTIVET
Vetëvarja e adoleshentes Laura G. pasditen e djeshme, të paktën deri në orët e vona të mbrëmshme ka mbetur mister edhe për Policinë. Familjarët e vajzës kanë pretenduar vazhdimisht se e bija nuk kishte asnjë problem, qoftë shëndetësor apo personal që mund ta çonte deri në vetëvrasje. Madje ata janë shprehur se nuk kanë dyshuar se e bija mund të kishte ndonjë problem, pasi gjithmonë ishte e qeshur. Edhe dje pasi është kthyer nga shkolla, 18-vjeçarja ka pasur një sjellje normale, si çdo ditë tjetër, duke mos i lënë të afërmit të dyshojnë për asgjë të keqe. Gjithashtu policia ka pyetur edhe disa prej shoqeve e shokëve të klasës së adoleshentes, të cilët po ashtu nuk kanë dhënë asnjë pistë që mund ti çonte oficerët e Policisë drejt zbardhjes së rrethanave të ngjarjes. Megjithatë, burime nga grupi hetimor thanë se nuk përjashtohet mundësia e ndonjë pakënaqësie që ajo mund të ketë pasur në familje prej kohësh, por mund të jetë mbyllur në vetvete, pasi sipas miqve të saj, ajo ishte tip i mbyllur. Gjithashtu, Policia nuk mohon as ndonjë konflikt në shkollë apo ndonjë çështje personale për të cilën rezulton që ajo nuk ka folur me njeri. Duket se rrethanat e ngjarjes kanë mbetur ende të paqarta për Policinë, por deri diku edhe për familjarët e adoleshentes, të paktën nga deklarimet që ata kanë dhënë për grupin hetimor.

Familja nuk veproi
Trupi i pajetë i adoleshentes është gjetur disa minuta pasi kishte ndërruar jetë nga familjarët e saj, të cilët, sipas Policisë, ndodheshin në shtëpi në momentin e ngjarjes. Veprimi i saj nuk është diktuar në kohë nga familjarët, pasi vendi ku ajo është varur është disa metra larg banesës për shkak të hapësirës së madhe që ka oborri i banesës, gjithashtu është i paekspozuar nga dritaret dhe dera e shtëpisë.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›