E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjimshiti për ndeshjen me Anglinë: Do japim gjithçka

Kapiteni i kuqezinjve, Berat Gjimshiti, në konferencën për shtyp në funksion të ndeshjes me Anglinë tha se skuadra do të hyjë në fushë për të dhënë maksimumin nesër, edhe pse e kanë siguruar kualifikimin për në play-off. Ndër të tjera, mbrojtësi kuqezi vlerësoi edhe ekipin anglez dhe elementet që kjo skuadër ka, ndërsa u shpreh se dëshiron që skuadra t’i shënojë golin e parë anglezëve.

Ndeshja nesër, vitrinë për lojtarët e Kombëtares? – Sigurisht që do të jetë një ndeshje si të gjitha në kualifikuese. Ne do hyjmë e japim maksimumin, do japim gjithçka. Janë tre pikë, një ndeshje e rëndësishme. E kemi arritur play-off, por është një ndeshje e vështirë, me një kundërshtar të fortë. Do japim gjithçka që të vendosim në vështirësi atë ekip dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë.

Rekord 5 fitoret radhazi. A mund ta thyejmë nesër tersin e Anglisë? – Unë nuk i di statistikat, mendoj ndeshje për ndeshje, por sigurisht janë gjë e mirë kur i sheh apo dëgjon ato. Por siç e thashë, kemi një kundërshtar përballë që luan për të fituar Botërorin, për të shkuar në fazat finale. Ne kemi vetëbesim në këto moment dhe do japim gjithçka për t’i vënë në vështirësi. Por besoj që do të bëjmë një ndeshje të mirë nesër.

Sa e vështirë është të përballohet Kejn dhe anglezët që nuk kanë pësuar asnjë gol deri tani? – Vështirësia nuk është vetëm e imja të ndalim Kejn, të gjithë mbrojtësit në botë e kanë të vështirë. Por besoj se do luajmë e mbrojmë si skuadër e do të sulmojmë si skuadër. Nuk është një kundër një, duhen të gjithë, 11 lojtarët në fushë të japin gjithçka. Pse jo nesër të bëjmë ne një gol, nuk i dihet futbollit. Jemi të përqendruar me gjithë skuadrën, jo vetëm me Herri Kejn.

A keni nisur të mendoni për kundërshtarët e play-off-it? – Sigurisht mendojmë për play-off se është normale, edhe para ndeshjes me Andorrën e ke mendjen aty, kush mund të jetë kundërshtari. Në këtë pikë që jemi, do të përqendrohemi te Anglia, të shohim pastaj shortin se me kë do përballemi. Në këtë ndeshje mund të mësosh nga kombëtaret e forta me kualitet dhe të marrim gjithçka që kemi bërë në këtë kualifikim deri tani e pastaj të përqendrohemi të play-off.

Mbrojtja më e mirë e historisë së Shqipërisë? – Atë duhet ta gjykojnë njerëzit nga jashtë, unë për vete nuk mund ta them a është më i miri ky. Unë di të them që kemi një organizim shumë të mirë në këtë kombëtare. Nuk ka rëndësi kush luan, në fushë jemi të organizuar shumë mirë. Taktikisht kemi rritur kualitetin e duket në fushë që nuk është vetëm mbrojtja, por është e gjithë skuadra që mbron dhe kjo është më e rëndësishme.

Sa ndryshe është Kejn nga sulmuesit e tjerë dhe nëse Foden luan si 9-sh, sa ndryshe është kjo? – Ndryshimi është se Kejn lëviz shumë, nuk rri kurrë afër mbrojtjes, kthehet e merr topin, është teknikisht i fortë dhe ka kualitet, është e vështirë të luash kundër tij. Nëse luan Foden, cilësia do të jetë e njëjtë, por edhe ai është lojtar që lëviz shumë, duhet të kemi kujdes të flasim në fushë dhe bashkëpunojmë për t’i ndalur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›