E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçiu në stacionin e ri të zjarrfikësve në Fier: Synojmë standard kombëtar dhe trupë të motivuar

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi një takim pune me trupën zjarrfikëse të Fierit, në stacionin e ri të zjarrfikësve, i cili konsiderohet një prej modeleve më të mira në vend për infrastrukturën dhe shërbimin operativ.

Ky inspektim u zhvillua në kuadër të turit kombëtar të takimeve me ekipet zjarrfikëse në bashkitë e vendit, me synim evidentimin e nevojave dhe forcimin e kapaciteteve të MZSH.

Duke folur për rëndësinë e ngritjes së standardeve të unifikuara në të gjitha bashkitë, ministrja theksoi se objektivi është krijimi i një trupe të motivuar dhe të trajnuar sipas protokolleve bashkëkohore.

“Kemi nisur një tur takimesh me të gjithë ekipet zjarrfikës në të gjithë vendin. Stacioni zjarrfikës në Fier është model, si për infrastrukturën ashtu edhe për trupën. Fatkeqësisht, jo të gjitha bashkitë janë në këtë nivel dhe ky është objektivi ynë, t’i sjellim të gjitha në një standard të barabartë”, u shpreh Koçiu.

Ajo ndaloi edhe tek përvoja e verës së kaluar, e cila sipas saj tregoi se sa e rëndësishme është që çdo qytetar të ketë njohuri bazike për veprimet në emergjencë dhe sa thelbësore janë investimet në bashkitë e vogla me kapacitete të kufizuara.

“Kërkohet menaxhim i qendërzuar, koordinim i të gjitha strukturave nga emergjencat civile, te urgjenca kombëtare mjekësore, Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura dhe një trupë zjarrfikësish e motivuar, e shpërblyer dhe e trajnuar sipas standardeve bashkëkohore”, shtoi ministrja e Brendshme.

Koçiu vuri në dukje se stacioni në Fier është një shembull mbi të cilin do të vijojë puna për ngritjen e kapaciteteve në të gjithë vendin.

“E rëndësishme është të dëgjojmë sugjerimet tuaja nga terreni, sepse ajo që bëni ju është frymëzim dhe meriton vëmendje të përditshme”, tha ajo.

Gjatë vizitës u inspektuan ambientet e reja, përfshirë kullën e stërvitjes, ndërsa u diskutua mbi nevojat për më shumë pajisje, trajnime të specializuara dhe një strukturë karriere më të qartë për zjarrfikësit.

Takimi u mbyll me angazhimin e përbashkët për të çuar përpara reformën e shërbimit zjarrfikës, duke e bërë atë më të fortë, më të koordinuar dhe më efikas.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›