Pilotët e Shqipërisë dhe Kosovës në trajnim të përbashkët për rritjen e gatishmërisë operacionale
Forcat Ajrore të Shqipërisë dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë realizuar një trajnim të përbashkët me helikopterët Cougar, me synim rritjen e gatishmërisë operacionale dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e fluturimeve dhe operacioneve emergjente.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, publikoi pamje nga ky aktivitet, duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy trupave si një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve ajrore.
Gjatë trajnimit, Kapiten Atdhe Hasani theksoi se “Jemi këtu për të realizuar programin për fluturime me helikopter Cougar, program i cili është paraparë tek marrëveshja bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.”
Ai shtoi se ky bashkëpunim u mundëson pilotëve të dy vendeve të shkëmbejnë eksperienca dhe të mësojnë mënyrat e veprimit në raste emergjencash.
“Prezenca jonë këtu na mundëson që të vijojmë shkëmbimin e përvojave gjatë fluturimeve me helikopter Cougar dhe të mësojmë se si duhet të veprojmë në raste të emergjencave, në raste të operacioneve”, tha Hasani.
Ky trajnim është pjesë e marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, e cila synon rritjen e ndërveprimit dhe koordinimit mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
/rtsh.al/