E Hënë, 2 Nëntor 2026

Protestë kundër ligjit për barazinë gjinore, shoqëria civile: Mos cënoni familjen tradicionale

Me pankarta në duar qindra qytetarë janë mbledhur sot në Sheshin Skënderbej për të protestuar kundër ligjit të barazisë gjinore. Protesta erdhi si reagim pas miratimit të këtij ligji në parlament javën e shkuar, i cili sipas organizatorëve Koalicionit Pro familjes dhe jetës cenon identitetin kulturor dhe moral të familjes shqiptare.

“Me legalizimin e këtij ligji ne humbasim të gjithë, më shumë humbet familja. Më shumë humbet Shqipëria. Të gjitha këto arsye që ju dëgjuat sot, ne jemi të vendosur ta kundërshtojmë këtë ligj duke kërkuar referendum popullor. Asgjë nuk do na ndalë për të mbrojtur Shqipërinë” – u shpreh Akil Pano.

Në protestë të gjithë pjesëmarrësve iu dha mundësia të nënshkruanin edhe peticionin ku i kërkohet presidentit mosdekretimi i ligjit të barazisë gjinore.

“Nëse do të shkatërrosh një komb, shkatërro arsimin, shkatërro familjen. Le të bëhemi bashkë dhe ta kundërshtojmë për fëmijët tanë” – u shpreh një prej të pranishmëve.

“Natyra e ka përcaktuar dhe njeh dy gjini, atë mashkullore dhe femërore. Çdo gjë e bërë në eprovet si në laborator mendoj se merr një vlerë antinjerëzore” – theksoi një tjetër qytetar.

Organizatorët u shprehën se beteja e tyre kundër këtij ligji do të vijojë dhe se janë të përgatitur ta dërgojnë atë në Gjykatën Kushtetuese, por edhe në një referendum mbarëpopullor, pasi të kenë hequr të gjitha pengesat teknike e organizimit të referendumeve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›