Gjinushi: “Berisha nuk ka më argumente, të hapë kutitë”
Nëse kryeministri Sali Berisha nuk hap kutitë, si e vetmja mënyrë e drejtë për të hetuar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, opozita do të vazhdojë bojkotin e saj pa ndërprerje. Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, deklaroi në dje në një prononcim për gazetën “Albania” se kreu i Ekzekutivit nuk ka më argumente, por duhet të hapë kutitë për t’i dhënë fund krizës politike. Kryetari Gjinushi ka injoruar zërat se deputetët e Partisë Socialiste u rikthyen të enjten në Kuvend vetëm për të mos djegur mandatet. “Ishte një gjë e paramenduar, e parashikuar. Vazhdon i njëjti qëndrim. Marrëdhëniet me Parlamentin janë të kushtëzuara. Bojkoti do të vazhdojë për sa kohë që nuk është lejuar e drejta kushtetuese për të hetuar korrupsionin elektoral”, - u shpreh Gjinushi. Maxhoranca ka deklaruar se lejon çdo objekt hetimi përveç hapjen e kutive me pretekstin se nuk e lejon vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Në këtë kuadër, Gjinushi sqaroi se nuk mund të ketë hetim pa dokumentin që bënë të mundur transparencën e plotë të zgjedhjeve dhe për të zbardhur çdo dyshimi të opozitës. “Nuk ka hetim pa dokument. Listat dhe votat janë pjesa kryesore e hetimit. Po nuk janë listat dhe votat nuk ka hetim”, - tha Gjinushi, duke theksuar se “askush nuk mund ta pranojë që Kushtetuta, Gjykata Kushtetuese nuk lejon të verifikojë shkeljet. Gjykata Kushtetuese dhe Kushtetuta janë për të zbardhur shkeljet. Çuditërisht vetëm Salës i qëllon që gjykata të mbyllë kutitë. Është gjykata që nuk zbardhi Gërdecin, është gjykata që nuk e lë për të parë a ka vjedhur apo jo votën”.
27 Shkurt 2010