E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët Braçe dhe Balla dorëzojnë në sekretariatin e Kryesisë së Kuvendit dy projektligjet



Partia Socialiste dorëzoi dje në Kryesinë e Kuvendit dy projektligjet e paraqitura prej saj në seancën plenare të ditës së enjte. Ishin deputetët Erion Braçe dhe Taulant Balla që një ditë pas betimit në Kuvend dorëzuan amendamentet e PS-së për t’i dhënë zgjidhje krizës politike. Draftet mbajnë firmat e mbi 35 deputetëve dhe sipas dy dorëzuesve të tyre, do të hyjnë automatikisht në rendin e punimeve pa qenë nevoja për të ndryshuar kalendarin, ndryshimi i cili kërkon shumicë të cilësuar. Mbetet tashmë në dorë të maxhorancës të përcaktojë datën dhe formën se si do t’i shqyrtojë ato. Drafti i parë, që mban autorësinë e sekretarit për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafa, është një amendim i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”. Në nenin 17 të tij PS-ja propozon që për hetimin e zgjedhjeve të përgjithshme ose vendore, shumica e anëtarëve të komisionit hetimor mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të votimit. Kjo për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore. Po ashtu parashikohet hapja e kutive për të rinumëruar fletët, për të verifikuar problemet e evidentuara gjatë pasqyrimit të rezultatit në tabelat përkatëse. Përmbajtja e objektit të hetimit parlamentar ka lidhje me çështje të tilla, si mungesa e zbatimit të ligjit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave, procesin e parregullt të votimit në qendrat e votimit, mangësitë e konstatuara në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave, përdorimin e aseteve publike dhe administratës shtetërore në favor të një subjekti zgjedhor, presionin për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën publike, lejet e përkohshme gjatë fushatës elektorale për personat e dënuar për vepra penale.

27 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›