Gjinushi: Federata e majtë gati në fillim të vitit
TIRANË Viti 2012 pritet të fillojë me zyrtarizimin e një lëvizjeje të re brenda së majtës. Bëhet fjalë për krijimin e federatës së majtë të iniciuar nga PSV91 e drejtuar nga Petro Koçi. Kjo federate pritet të përfshijë tri partitë e opozitës, PSD, PSV91 dhe PDS. Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, deklaroi dje se lëvizja do të bëhet publike fillimin e vitit të ri. "Ajo bëhet publike me vit të ri, aksion i ri, bashkim i ri", - u shpreh Gjinushi. Kryetari i PSD-së theksoi se ka ardhur koha për një opozitarizëm më të fortë. "Veçanërisht e majta e ka paguar shtrenjtë, kur themi e majta jo partitë, e kanë paguar votuesit e majtë. Janë shumicë dhe dalin në Kuvend pakicë, pikërisht nga ndarjet dhe nga shitjet që ka bërë LSI-ja. Aksioni ynë është në drejtim të kundërt. Kthimi te termat e ribashkimit, bashkimit, kooperimit. E dyta, vlerësoj që kjo duhet edhe për të forcuar të majtën, por edhe për të forcuar qëndrimin opozitar, pasi PS, qoftë për arsye drejtimi, qoftë edhe për arsye personale apo për presionet që si duket bëkan efekt, po mban një opozitë ‘të moderuar’, por që për ne shkon deri te nënshtrimi, për ne duhet një opozitarizëm më i fortë, sepse nuk është puna se ti lëshon dhe ky lëshim shkon për të mirë të Shqipërisë",- tha Gjinushi. Edhe pse nuk janë zyrtarizuar detajet e kësaj lëvizjeje, partitë e së majtës kërkojnë që të rrisnin më së shumti presionin ndaj Partisë Socialiste për kërkesën kryesore që ato kanë lidhur me ndryshimin e sistemit zgjedhor.