Malaj: Nano ka tiparet e një presidenti konsensual
“Ajo që e dallon Nanon nga kandidaturat potenciale që do të dalin dhe akoma nuk i dimë se kush janë, ka të bëjë me faktin se në momente konkrete kritike, ai ka marrë riskun për të shtensionuar politikën shqiptare, që mund edhe të jetë një nga tiparet kryesore të një presidenti konsensual”
Deputeti dhe anëtari i kryesisë së PS-së, Arben Malaj tha dje në “5 pyetje nga Babaramo” se Nano ka tiparet e një presidenti konsensual. I pyetur se, a do ta mbështeste ai kandidaturën e Nanos, Malaj tha se “nga tani deri kur të zgjidhet presidenti i ri kemi një vit kohë, çka do të thotë që debati ndoshta është pak i parakohshëm. Së dyti, deklarata e Nanos që afroi mundësinë për të qenë president i ardhshëm, për mua nuk kishte në thelbin e tij ide që të krijonte një temperaturë të rritur politike dhe aq më pak kthimin në PS. Së treti, gjithmonë mbetet kandidatura potenciale, që jo thjesht ka qenë në forumet drejtuese të PS-së dhe në qeveri, por mendoj se ajo që e dallon Nanon nga kandidaturat potenciale që do të dalin dhe akoma nuk i dimë se kush janë, ka të bëjë me faktin se në momente konkrete kritike, ai ka marrë riskun për të shtensionuar politikën shqiptare që mund edhe të jetë një nga tiparet kryesore të një presidenti konsensual”. I pyetur në se do ta firmoste personalisht një kandidim të zotit Nano për president, ish-ministri i Financave u përgjigj se “është një gjë që unë e kam bërë të qartë, por problemi është, jo të bëjmë garë se kush i jep firma Nanos, por të korrigjojmë diçka që ndoshta herën e parë kemi bërë gabim... Nuk besoj se PS-ja kur të vijë puna në një votim të nxjerrë një produkt politik, patjetër që ne të jemi totalisht të unifikuar. Ajo që unë dua të theksoj është fakti që PS-ja duhet të ulet të analizojë përfitimet, të analizojë kostot, mundësitë, risqet që të çojnë në opsionin që ne të shkojmë me një kandidaturë të unifikuar”.
Ndërsa për mundësinë e koalicionit të PS-së me LSI-në, Malaj ishte i mendimit se “LSI-në e shikoj si një proces që duhet parë në dinamikë, por gjithmonë jo si mundësia e vetme për të na sjellë në pushtet. Në politikë kurrë nuk thuhet kurrë”
Ish-ministri i socialist ka shprehur ndërkaq trishtim për çregjistrimin e Islamit nga grupi, dhe kjo sipas tij, për shkak të kontributeve që ka ai në politikën shqiptare dhe në transformimin e Partisë Socialiste në vite. “Njerëzisht i trishtueshëm dhe politikisht i dëmshëm. Ka disa personalitete në çdo parti, por sidomos në PS, që janë Islami, Lakrori, Ruka, Meidani, duke u dhënë vlerësimin maksimal themeluesve të PS, si Nano, Pëllumbi, Dokle e të tjerë, të cilët morën përsipër modernizimin e njërës prej partive më të mbyllura. Specifika e kolegut Islami, e Rukës, apo e Meidanit, është se ata ndryshuan drejtimin e jetës së tyre, duke marrë përsipër të modernizonin dhe të kthenin në energji pozitive një nga partitë kryesore politike në vend dhe këtë e kanë arritur. Kur bën diçka të rëndësishme për vendin tënd, atëherë meriton një mirënjohje të përhershme dhe brenda kësaj mirënjohje dhe një trajtim më i kujdesshëm më të kujdesshëm”, - tha ai. Malaj ka vlerësuar se disiplina e imponuar nuk mund të sjellë efikasitet në një parti politike aq më shumë produkt politike. “Nuk është disiplina formale ajo që na rrit efikasitetin neve. Njerëzit duhet të flasin dhe nuk duhet t’i trembemi asaj që po folëm në publik publiku çoroditet”, - tha Malaj. Ndërkohë që duke komentuar largimin e Islamit dhe Harasanit nga forumet e larta drejtuese të partisë, ai ka theksuar se të qenit të zgjedhur në një karrige nuk është e përhershme. “Të zgjedhurit në forume nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë. Një lidership duhet të ketë një vizion afatmesëm dhe afatgjatë. Koncepti i largimit dhe i afrimit është bërë mbi bazë matematike dhe jo parimesh”, - u shpreh Malaj.