Hysi: Kodi i ri Elektoral do të jetë gati brenda muajit mars
TIRANË Komisioni parlamentar i Reformës Zgjedhore pritet të fillojë me seancat dëgjimore për krerët e partive të vogla dhe shoqërisë civile. Anëtarja e këtij komisioni, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, u shpreh dje se në fillim të vitit të ardhshëm forcat politike, që nuk janë pjesë e Kuvendit, do të ftohen të dëgjohen në komision. "Partitë e vogla kanë ofruar opsionet e tyre, komentet dhe sugjerimet, të cilat janë marrë nga grupi teknik. Ne nuk kemi të planifikuar një mbledhje. Në muajin janar është menduar një axhendë e ngjeshur për të pasur seanca dëgjimore me të gjithë grupet e interesit. Partitë, që nuk janë pjesë e tryezës, do të ftohen për të shprehur të gjitha mendimet e tyre dhe, në rast se kanë amendime konkrete të neneve, ato do të trajtohen një për një," - tha Hysi. Lidhur me rekomandimin e Venecias për rikompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Hysi tha se për këtë çështje po punon grupi teknik i punës. Vasilika Hysi bëri me dije gjithashtu se Kodi i ri Elektoral do të jetë gati brenda muajit mars. Ky draft i ri pritet që të përfshijë jo vetëm sugjerimet e partive politike, por edhe të shoqërisë civile. Deputetja e PS-së, Hysi, shtoi se komisioni për Reformën Zgjedhore u ka dërguar letër organizatave jo fitimprurëse për sugjerime të cilat kanë vëzhguar zgjedhjet e fundit parlamentare dhe ato lokale.