E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Opozita po tregohet pasive

Aksioni opozitar i muajve të fundit ka lënë të pakënaqur edhe kreun e socialdemokratëve Skënder Gjinushi. Në një prononcim për mediat ai deklaroi dje se “fatkeqësisht përsëri debati bëhet në Partinë Socialiste dhe jo në Partinë Demokratike”. Në vlerësimin e tij opinioni ende merret me çfarë do të ndodhë në PS dhe jo me atë se çfarë do të ndryshojë në Partinë Demokratike apo në qeverisjen e vendit. “Absolutisht që opozita po tregon se ka ndenjur pasive dhe me këtë pasivitet nuk mund të zhvillohet lufta opozitare. Beteja duke thënë se kësaj qeverie nuk ke çfarë i bën është e dështuar”, këmbënguli Gjinushi. Duke iu referuar stilit me të cilin po bëhet opozitë në muajt e fundit, Gjinushi insiston se nuk mundet që kjo të jetë zgjidhja dhe se nuk duhet që opozita të eksperimentojë. “Opozita nuk mund të ndjekë rrugën e gjoja një qëndrimi konstruktiv. Opozita ka vetëm një rrugë, t’i ofrojë vendit zgjidhjen politike. Opozita nuk është për të bërë sehir dhe për bashkëpunim për bëmat e gjëmat e qeverisë”, theksoi Gjinushi. Teksa ndalet te replikat e fundit publike mes institucionit të Presidentit dhe mazhorancës, në vlerësimin e kreut të Partisë Socialdemokrate kriza është e qeverisë, nuk është te Presidenti. “Këtë e kemi thënë që në vitin 2007. Hoqëm presidentin Moisiu, mbajtëm Saliun. Pra, rrjedhimisht, kriza nuk është as te Presidenti, as te ndonjë gjykatë e caktuar. Kriza është në kokë”, u shpreh Gjinushi. Ai kundërshton kështu tendencën dhe deklaratat e socialistëve për një bashkëpunim me mazhorancën për reformë kushtetuese. “Partia Socialiste ka përgjegjësinë më të madhe për të kryer këtë mision opozitar, pasi erdhi koha që përfundimisht të bëjë opozitën e vërtetë. Koha e gjoja kompromiseve, koha e opozitës konstruktive, dhe kjo në thonjëza, absolutisht ka kaluar”, ka nënvizuar Gjinushi. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka premtuar publikisht dhe përpara anëtarëve të Asamblesë Kombëtare se kjo forcë politike do të kthehet në Parlament e do të ndërtojë një aksion të ri opozitar. Deputetët e grupit parlamentar kanë bojkotuar seancat që prej prag fushatës elektorale për zgjedhjet administrative të 8 Majit 2011.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›