E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat, Ilir Beqja: Indeksimi i ri zvogëlon pensionet

Ashtu si çdo vit, qeveria me një vendim shpalli indeksimin e ri të pagave për efekt pensioni. Bëhet fjalë për koeficientët të cilët indeksojnë pagat që nga viti 1994.

Në bazë të këtij koeficienti, paga sillet në vitin 2011 dhe mbi të llogaritet shuma e pensionit që do të marrin të punësuarit që mbushin kushtet gjatë këtij viti. Në një intervistë për gazetën, ish-deputeti dhe drejtori i ISSH, Ilir Beqja, shpjegon se koeficientët po vijnë nga viti në vit duke u ulur. Kjo, sipas tij, sjell edhe uljen e përfitimeve të pensionit. Duke marr një shembull dhe në bazë të tabelave të llogaritura, Beqja shpjegon se si një pensionist që del gjatë vitit 2011 në pension do të marrë më pak para se një tjetër me të njëjtën profesion dhe kushte pune, por që ka dalë në pension në vitin 2008. Me pak fjalë, me vendimin për indeksimin e pagave për pension, qeveria po kursen para, duke u dhënë më pak pension atyre që mbushin kushtet nga viti në vit.
Qeveria sapo ka miratuar koeficentët e rinj të indeksimit të pagave. A mund të na shpjegoni se për çfarë shërbejnë këta koeficientë?
Vendimi në fjalë është një vendim rutinë, i përvitshëm, i qeverisë në detyrimin ligjor për të përcaktuar këta koeficientë që ndihmojnë në llogaritjen fillestare të pensionit dhe konkretisht shërbejnë për të rivlerësuar kontributet e paguara në vite. Nëse do të shihni tabelën, koeficientët fillojnë nga viti 1994, pikërisht sepse atë vit filluan të paguhen për herë të parë kontribute të detyrueshme për pension sipas përcaktimeve të ligjit 7703. Koeficienti në vetvete përbën raportin e kontributit mesatar, të paguar nga të gjithë kontribuuesit në një vit të caktuar ndaj kontribut mesatar në të njëjtin kuptim, por të një viti më parë. Thënë ndryshe, nëse koeficienti i vitit 2009 është përcaktuar 1.01, kjo do të thotë kontributi mesatar i 10 ndaj atij të 09 është 1.01. Thënë në gjuhë akoma më të drejtpërdrejtë, kontributet mesatare të paguara nga një kontribuues në vitin 2010 janë 1 % më të larta se ato të vitit 2009.
Si duhet ta kuptojë ky koeficient për një person që del në pension?
Në gjuhë më të kuptueshme do të thotë që në momentin që llogaritet pensioni gjatë vitit 2011, paga që një person ka pasur në vitin 2009 rritet me 101 %. Koeficientët caktohen çdo vit, por gjatë zbatimit të tyre ata shumëzohen me njëri-tjetrin. Kështu, sipas koeficientëve, paga e vitit 2005 rritet me 124 %, paga e vitit 2001 rritet me 189 %, ndërsa ajo e vitit 1994 rritet me 558 %. Këta koeficientë përdoren për të sjellë në nivelin e sotëm pagat e para vitit 1991. Është një VKM i gushtit 2005, që ka përcaktuar pagat e çdo vendi pune të periudhës deri në dhjetor 1993, kur nuk kishte kontribute. Kështu, nëse bashkojmë vendimin e gushtit 2005 me vendimin e fundit të koeficientëve, rezulton se një mësueseje paga le të themi e vitit 1985, për efekt të llogaritjes fillestare të pensionit, në vitin 2011 i rivlerësohet 22,918 lekë ose rreth 30 herë.
Vihet re një tendencë në ulje e koeficientëve në 5 vitet e fundit. Pse ka ndodhur e çfarë pasojash sjell kjo gjë?
Nga një vështrim i shpejtë konstatohet se çdo vit koeficienti ka qenë më i madh se 1. Pra, çdo vit, kontributi mesatar ka qenë më i madh se një vit më parë. Është e vërtetë që koeficientët në dy vitet e fundit janë 1.01, 1.02 dhe 1.04. Ndjeshëm më të ulët se në vitet e mëparshme. Madje, asnjë koeficient nuk ka qenë më parë kaq i vogël. Arsyeja është e thjeshtë. Gjatë periudhës 20062009 është ulur përqindja e kontributeve të detyrueshme për degën e pensioneve. Pra, edhe nëse vendi ka pasur rritje ekonomike, ndonëse ka pasur rritje të pagave dhe pensioneve, kur vjen momenti për të rivlerësuar pagat për efekt të llogaritjes fillestare të pensionit të pleqërisë, rezulton se në vitin 2011 paga e vitit 2005 rivlerësohet vetëm me 124 %. Pra, praktikisht, pagat rivlerësohen edhe më pak se efekti i inflacionit. Për pasojë, kemi një situatë kur dy persona që kanë bërë të njëjtën punë dhe janë paguar njësoj, vetëm se kanë dalë në pension në tre vite diferencë kanë masa pensioni të ndryshme, duke cenuar një nga parimet e sistemit të pensioneve, që për punë të njëjtë, duhet të kesh pension të njëjtë. Duke u rikthyer tek krahasimi me vitin 2005, që prej atij viti pensionet janë rritur 50 %, ndërsa pagat për efekt të llogaritjes fillestare të pensionit rivlerësohen (mund të themi dhe aktualizohen) 24 %.
Shmangia e koeficientëve vjetorë nga rritja vjetore e pensioneve në qytet në periudhën 20012009 mund të ilustrohet edhe grafikisht (grafiku 1) :

grafiku 1

Në një situatë të tillë, a ekziston ndonjë zgjidhje për këtë çështje?
Unë mendoj se koeficienti është element matematik, që përpiqet të rregullojë edhe parimin e solidaritetit që ka skema jonë e pensioneve. Por, i vënë në një kontekst ekonomik, duhet vendosur në të njëjtën bazë. Pra, ka kuptim të përdoret koeficienti, nëse në dy vite njëri pas tjetrit përqindja e kontributeve është e njëjtë. Nëse përqindja e kontributeve ndryshon, nuk ka më kuptim të përdoret koeficienti. Në këtë rast mundet që krahasimin ta bëjmë me pagat mesatare mbi të cilat janë paguar kontributet dhe jo me vetë kontributet e arkëtuara. Matematikisht, mund të ndodhë që koeficienti të jetë edhe më i vogël se 1. Një tjetër zgjidhje mund të jetë korrigjimi i koeficientit me një faktor që përfaqëson eliminimin e efektit të ndryshimit të përqindjes së kontributeve. Sidoqoftë, duhet ndërhyrë në ligjin 7703. Një amendim i mundshëm mund të ishte që në fund të pikës 3 të nenit 59 të ligjit të shtohet paragrafi Ky koeficient nuk mund të jetë më pak se 1. Nëse në vitin pararendës përqindja e kontributeve është e ndryshme nga ajo e vitit të fundit kalendarik, Këshilli i Ministrave miraton një faktor korrigjues, i cili për atë vit shumëzohet me koeficientin. Me sa mbaj mend, një propozim të përafërt PS e ka bërë në vjeshtën e vitit 2007, por qeveria Berisha nuk e mori në konsideratë propozimin. Kjo bëri që paaftësia e saj për të vlerësuar fenomenet në kompleksitetin e tyre, ta vuajnë pensionistët e rinj. Unë mendoj se PS duhet të këmbëngulë që të korrigjohen këto defekte të krijuara nga keqqeversija.
Ju konstatoni ulje të pensioneve, ndërsa qeveria deklaron se edhe pse e vetme Shqipëria ka rritur pensionet dhe do të vazhdojë ti rrisë…
Të rrisësh pensionet në letër është një gjë, ndërsa tu japësh pensionistëve mundësinë që vit pas viti të jetojnë më mirë se më parë, është një tjetër gjë. Edhe rritja e vlerës nominale nuk mjafton për sa kohë nuk kemi rritje reale të tyre apo rritje të fuqisë blerëse me paratë e shtuara që pensionistët marrin në dorë. Mjafton të ndalemi në rritjen e fundit. Ajo ishte 4 %, ndërkohë që inflacioni i shportës specifike të pensionistëve është mbi 5,5 %. Duhet theksuar se që prej vitit 2006 në mënyrë të përsëritur qeveria nuk e zbaton inflacionin e shportës së pensionistëve.
Nëse ekonomia u rritka, atëherë nga kjo rritje duhet të përfitojnë edhe pensionistët. Në periudhën 20062011, rritja nominale e pensioneve është dukshëm më e ulët se rritja nominale e GDP. Përjashtim bën viti 2009, kur për qëllime elektorale pensionet janë rritur më shumë se rritja ekonomike. Ja prezantimi grafik (Grafiku 2)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›