Ndoka: Presidenti? Opozita të mbështesë rikandidimin e Topit
Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, deklaron se do t’i kërkojë Partisë Socialiste dhe opozitës në tërësi të mbështesin rikandidimin e Bamir Topit për mandatin e dytë si President. Teksa e vlerëson kontributin e Topit në mandatin e tij të parë, në intervistën për “TvKoha”, Ndoka deklaron se do të kemi zhvillime interesante në politikën shqiptare në javët dhe në muajt në vazhdim.
Viti i fundit i mandatit të Presidentit ka hapur diskutimet e para për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të ri dhe për kandidaturat që mund të paraqesin partitë politike. Vetë Partia Demokristiane, si parti jo e majtë, por e renditur në opozitë me Partinë Socialiste, çfarë procedure dhe kandidature mund të mbështesë?
Së pari, ne do ta rikthejmë Kushtetutën në parametrat e vitit 2008. Kushtetuta nuk është një letër që ndryshohet sipas dëshirave. Në pikën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, e konsideroj si një gafë të papërgjegjshme të opozitës ndryshimin e bërë, për faktin se Kushtetuta është ndërtuar mbi disa parime, mbi disa garanci dhe disa shtylla të cilat e mbajnë atë. Ne e kemi shembur njërën prej tyre; institucionin e Presidentit, duke e bërë që të zgjidhet nga një palë. Kështu, Kushtetuta e Republikës ka humbur garancinë dhe ka të hequr një bazament. Dhe është momenti që ta rindërtojmë. Kjo është fare e thjeshtë, që ne të kthehemi përsëri në zgjedhjen e Presidentit të Republikës me 2/3 në Kuvendin e Shqipërisë. Unë do të vlerësoja në mënyrë maksimale rolin e presidentit aktual Bamir Topi, një njeri që, megjithëse u ndesh herë pas here me politikën e papërgjegjshme, në të dy krahët për fatin e keq, presidentit Topi i janë hequr, i janë zvogëluar kompetencat në punë e sipër. Pra, ai është zgjedhur me 2/3 e votave dhe operon me kompetenca të një shumice të thjeshtë dhe ky ka qenë një problem jashtëzakonisht i madh në punën e tij. Nëse përpara Komisioni Qendror i Zgjedhjeve drejtohej në njëfarë mënyrë nga Presidenti i Republikës, për faktin se njëri prej anëtarëve të tij zgjidhej nga ai, për faktin se të gjithë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bënin betimin te Presidenti, pati një ndryshim, pati një pazar politik, duke e nxjerrë jashtë loje. Dhe kur politika e nxjerr jashtë loje Presidentin e Republikës, nuk mund t’i kërkojmë prononcim Presidentit për procesin zgjedhor. Kur ai nuk e kontrollon atë as formalisht. Prandaj sot është momenti që gjithsecili të reflektojë për rolin aktual të Presidentit të Republikës, i cili ka qëndruar mbi palët. Ne kemi parë një mazhorancë të çoroditur, e cila e ka sulmuar në mënyrat më banale të mundshme institucionin e presidentit dhe këtë nuk e bën thjesht për pjesën politike, se zoti Topi është një eksponent i djathtë, madje më i djathtë se Kryeministri aktual, por kjo mazhorancë i shikon institucionet që prodhohen prej saj që t’i nënshtrojë, të zbatojë urdhrat politikë e verbalë të saj. Zoti Topi ka zbatuar Kushtetutën para urdhrave të partisë tek e cila ka kontribuar për disa vite. Kemi pasur më tepër një luftë politike të sajuar nga Partia Demokratike dhe lidershipi i saj ndaj institucionit të Presidentit, kemi pasur një opozitë e cila për fatin e keq ka heshtur përballë këtyre sulmeve. Nuk ka pasur kurajën politike që ta mbrojë institucionin e presidentit. Opozita nuk është palë me Presidentin e Republikës, madje është larg. Ka kërkuar shumë gjëra nga Presidenti, të cilat nuk kanë qenë në kompetencën e tij. Për fatin e keq, vetë opozita ia ka hequr ato kompetenca. Dhe kësisoj kemi pasur një President të Republikës i cili, me ato kompetenca që ka pasur, ka qenë në lartësinë e detyrës dhe ajo që është më e rëndësishmja, ka qenë i vetmi institucion i cili është mbështetur nga faktori ndërkombëtar. Pra, në raste krizash faktori ndërkombëtar ka dialoguar direkt me Presidentin e Republikës, i ka dhënë atij mbështetje maksimale në dy raste krizash që ka kaluar Shqipëria. Asnjëherë faktori ndërkombëtar nuk ka qenë palë as me mazhorancën dhe as me opozitën, por ka mbështetur në mënyrë të drejtpërdrejtë Presidentin e Republikës.
Por mazhoranca aktuale e ka deklaruar qartë se nuk do të propozojë për herë të dytë Bamir Topin, madje as nuk do ta votojë. Në këto kushte, a mund të jetë opozita ajo e cila të hedhë emrin e Bamir Topit në tavolinën e negociatave?
Është ende herët që të flasim për kandidatë potencialë, për zgjedhjen e Presidentit, për arsye se ne e kemi Presidentin në detyrë. Unë nuk besoj në asnjë rast se zoti Topi do të jetë kandidatura zyrtare e Partisë Socialiste. Zoti Topi, me bindjet e tij është i djathtë, kontributin e tij politik e ka djathtas, dhe pjesa e opozitës së Partisë Socialiste nuk besoj se ndan të njëjtin gjykim edhe me ne partitë e djathta aleate. Ai pa diskutim që do të ketë mbështetjen tonë, pra partive aleate opozitare, që sot ndodhen në bashkëpunim me Partinë Socialiste. Do të jetë kërkesë e jona që zoti Topi të jetë një kandidaturë e të gjithë opozitës së njësuar. Ky është një debat që mund të hapet. Që kërkon kohë, e që pa diskutim do të pasojë edhe me ndryshimet kushtetuese etj. Do të jetë një betejë e madhe, të cilën Partia Demokratike, për fatin e keq po e kthen në një betejë politike personale, duke sulmuar personalisht institucionin e Presidentit dhe vetë zotin Topi. Ndërsa opozita në këtë rast e ka për detyrë që të mbështesë më tepër institucionin e Presidentit sesa emra të përveçëm. Dhe këtë ne do ta bëjmë pa diskutim në të gjithë hapat tonë të ardhshëm, pa qenë të fokusuar e të fiksuar te kandidatët dhe emrat e përveçëm, pasi për ne është shumë i rëndësishëm procesi. Pra, së pari, të vendosim ato standarde mbi zgjedhjen e Presidentit, të vendosim ndryshimet kushtetuese, pastaj pjesa e emrave, e kandidaturave, i takon së ardhshmes. Do të jetë në njëfarë mënyrë një luftë, nuk i shmangemi asnjëherë luftës politike. Do të jetë faktori ndërkombëtar ai i cili do t’i diktojë palët, kjo është e padiskutueshme. Në asnjë rast Presidenti i Republikës nuk do të jetë përfaqësues i kësaj mazhorance, për faktin se kjo mazhorancë ka dhunuar zgjedhjet, ka marrë me dhunë Bashkinë e Tiranës dhe nuk besoj se faktori ndërkombëtar do të arrijë deri aty sa të lejojë që të marrë edhe Presidentin e Republikës. Pra, do të kemi zhvillime interesante në politikën shqiptare në javët dhe në muajt në vazhdim.