Rezultati i 8 Majit, vetëm në fillim të shtatorit
Zgjedhjet për pushtetin vendor të nisura më 8 Maj do mund të përfundojnë zyrtarisht vetëm në fillim të muajit shtator, ose thënë ndryshe gati plot katër muaj nga dita e dekretuar nga kreu i shtetit. Pavarësisht besimit të shprehur nga kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i cili dje ka deklaruar se ky proces zgjedhor mund të mbyllet brenda muajit gusht, situata reale e bën këtë gjë thuajse të pamundur. Kjo për shkak se KQZ do duhet të presë të paktën dhe një javë Kolegjin Zgjedhor për të shqyrtuar kërkesën ankimore të partisë minoritare MEGA për njësinë vendore komuna Finiq. Më pas ky komision duhet të mblidhet për të përcaktuar datën e zgjedhjeve për komunën Shalë në qarkun e Shkodrës, të cilat me shumë gjasa do mund të mbahen të dielën e parafundit të Gushtit. Në rastin më të mirë të mundshëm, nëse ky proces zgjedhor nuk do shoqërohet me ndonjë problem tjetër në zhvillimin e zgjedhjeve në këtë komunë, KQZ ka detyrimin ligjor që të presë edhe tri ditë të tjera subjektet zgjedhore për ankimimet e mundshme. Në rast se nuk do ketë animime, atëherë KQZ mund ta shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve brenda muajit gusht, ashtu siç edhe u shpreh dje kryetari i KQZ-së. Në rastin e kundërt, pra nëse subjektet do të kenë pretendime për këto zgjedhje, atëherë procesi ankimor mund të bëjë që rezultati përfundimtar të shpallet vetëm në fillim të shtatorit.