E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: Rama-Meta? S'ka paqe pa u zbardhur 21 janari

TIRANE-Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi sugjeroi dje, një tryezë institucionale për zgjedhjen e presidentit të ri, se sa këto lëvizjes "spontane" siç i quajti ai, takimet që ka nisur kreu i PS-së, Edi Rama me faktorë të politikës parlamentare në vend. Sa për Nanon, ai tha se figura e tij do të ishte më e pranueshme për President, por çifti Nano-Berisha nuk sjell një politikë të re në vend.
Z.Gjinushi, a shpresoni në korrigjimin e sistemit zgjedhor, duke pasur parasysh se edhe në tryezën e fundit sërish iu bëtë thirrje dy partive të mëdha për këtë gjë?
Thirrja nuk është vetëm për dy partitë e mëdha, por është edhe për misionin e OSBE-së, i cili nuk po i qëndron as standarteve të veta, as misionit të vet, sepse po përsëriten gabimet e mëparshme. U tha që kjo reformë do të ishte nga më transparentet, më gjithëpërfshirëset. Absolutisht po përfundon si reforma më refraktare. Gjithmonë ka qenë problem, që është servirur si konsensus midis dy partive, dhe mbi këtë bazë janë toleruar gabimet e mëparshme, qoftë edhe "Dushku" i famshëm. Që atëherë i është thënë misionit të OSBE-së që të mos mbajë qëndrime të tilla të njëanshme, përsëri ndodhemi në kushtet kur misionari i OSBE-së del në mbrojtje të mosndryshimit në mënyrë krejtësisht të palogjikshme dhe në dëm të reformës. Gjithashtu, vazhdojnë të fshihen pas gjoja rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, kur rekomandimet nuk janë kurrë shteruese dhe nuk marrin kurrë përsipër që janë ato dhe vetëm ato. Kjo është shumë abuzive, është e qëllimshme, sepse disa ndërkombëtarë theksojnë refrenin e Saliut. Tani kjo s'është e vërtetë fare, sepse duhet të shikohen rekomandimet ndër vite të OSBE-së dhe një prej tyre është edhe rishikimi i sistemit. Pra, edhe në këtë aspekt kemi një abuzivizëm të qartë. Prandaj përfundimisht duhet që reforma të mos jetë e dështuar që në letër, sepse për 20 vjet ne kemi bërë reforma. Sigurisht ato kanë dhënë efektin e vet, në përmirësim të procesit zgjedhor, por nuk kanë zgjidhur dot gjithçka, dhe janë toleruar gabime të tilla. Por, mbi të tëra është edhe vullneti politik, për të cilin deri tani s'është bërë asgjë për të ndryshuar historinë. Këtu është edhe kritika kryesore që edhe vetë BE-ja harron edhe një kusht themelor të sajin, sepse kusht për statusin nuk është zbatimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, gjë që e kemi bërë vazhdimit ndër vite, por është garantimi i standarteve. Zgjedhjet janë në 2013-ën dhe këtë pikë BE-ja e ka pikë më vete dhe përputhet me atë që tha edhe Komisioni i Venecias që s'është problem Kodi, as përmirësimi i tij në bazë të rekomandimeve. Problem kryesor është vullneti politik. Pra atëherë ky vullnet politik, të paktën duhet të tregojë se po ndryshon duke mos imponuar në mënyrë arbitrare këto reforma. Këto i theksuam edhe në takim e po i themi prapë, duke kujtuar edhe aleatin tonë që opozita është më e interesuara dhe e ka më për detyrë të mbrojë parimet demokratike, aq më tepër që nga kjo qeveri nuk mund të presësh reformë të mirë. Dhe një reformë që dështon që në letër dhe që garanton deformimin e votës që në letër, kuptohet se sa shpresë jep për të pasur rezultat të saktë.
Z.Gjinushi, kanë nisur takimet e z.Rama për çështjen e Presidentit të ri. Takimi i parë u bë me z.Meta e më pas me z.Idrizi. Si i cilësoni këto konsultime?
Ne kemi pasur edhe takime publike, edhe takime jopublike. Kuptohet që në demokraci takimet publike dhe institucionale janë të mirëpritura, ndonëse edhe ato nuk vlerësohen nga fakti formal, që sa mirë është që u takuan apo është keq që u takuan se sa nga produkti. Atëherë, në kuadrin e zgjedhjes së Presidentit, ne ende kemi takime në boshllëk. Vijnë rrotull ata që s'kanë gjë në dorë, ndërkohë që nuk ka një pozicion të qartë politik, të atij që i takon të zbatojë i pari Kushtetutën, të mazhorancës që është apo s'është për president konsensual. Në rast se nuk ka një tavolinë të institucionalizuar dhe vendim politik për president konsensual, mbështetur edhe nga faktori ndërkombëtar qartazi dhe jo me ekuivoke, ashtu siç u shprehën shumë ambasadorë të nderuar në favor të presidentit konsensual, atëherë takimet kështu dyshe, treshe e me radhë do shikohen vetëm si alibi për të justifikuar zgjedhjen e një presidenti të njëanshëm. Pra, teza e zgjedhjes së Presidentit me konsultime, pa një përcaktim të qartë nëse produkti do të jetë konsensual ose jo dhe në rrugë të institucionalizuar, kuptohet që është tezë vetëm si alibi për pushtetin ashtu siç i është dhënë alibi këtij pushteti për të tëra skandalet e tjera të mëparshme. Do ngjajë njëlloj si qëndrimi pas 21 janarit, që duhet hetim i paanshëm, gjithëpërfshirës, i thellë, objektiv etj., etj. Këto janë vetëm të bëjnë parimet dhe ndërkohë toleron të kundërtën në realitet. Ashtu siç u bë me Tiranën, kur ajo vidhej dhe disa thoshin që e rëndësishme është të numërohet vota drejt, të zbatohet Kushtetuta, sepse shkelej me të dyja këmbët. Hajduti është në shtëpi, e ti thua s'është mirë të vjedhësh, s'ka lezet, mos përfito që unë jam burrë i urtë, ose s'jam fare. Pra, kjo për sa i takon zgjedhjes së presidentit. Pra, jemi ende në lëvizje spontane që deri tani mund të shërbejnë për alibi. Nëse nesër ka një vendim për një president konsensual, kjo do të ndryshonte situatën. Sa i takon pastaj takimeve informale ose të tjerave, sigurisht pastaj ka shumë që rendin të përshëndesin paqen. Shqipëria ka parë shumë paqe dhe faktikisht këto kanë shërbyer vetëm për riciklim politikanësh. Këto kanë shërbyer vetëm për të mbuluar të kaluarën dhe jo për të nxjerrë përgjegjësitë nga e kaluara dhe nuk kanë shërbyer për të ndryshuar të ardhmen. Pra, çdo paqe mes politikanëve e përshëndesim me shpresën që e nesërmja do jetë ndryshe. Një, që do të dalin përgjegjësitë për çfarë ka ndodhur; dy, s'do përsëriten më ato; tre e me radhë. Kurse tek ne absolutisht, qoftë paqja e 2008-ës, qoftë ajo e 2002-it, apo e 2007-ës kanë qenë vetëm mënyra shpëlarjesh për njëri-tjetrin, mbulimi skandalesh të përgjegjësive, të dështimeve, apo aferave të njëri-tjetrit dhe shpresa që është dhënë në fund ka qenë e vetmja që tani ne do fillojmë nga e para sepse çfarë u bë u bë, nuk quhet.
Po takimi Rama-Meta pas kaq vitesh si ju duk, ndërkohë që kemi akuza të ndërsjellta vetëm pak kohë më parë mes tyre?
Takimet që nuk sjellin ndryshime për Shqipërinë, por sjellin ndryshime për marrëdhëniet formale midis personave, sigurisht për këto nuk kam qenë asnjëherë entuziast. Kam qenë skeptik dhe janë vërtetuar dhe është vërtetuar që produkti nuk ka qenë pozitiv. Absolutisht, sepse edhe kushtet konkrete, gjërat janë të freskëta, atëherë është shumë e vështirë të flasësh për një paqe dhe një klimë të re pa zbardhur 21 janarin, pa filluar me falje për 21 janarin, përgjegjësitë morale, politike për 21 janarin dhe deri penale për 21 janarin. Është shumë e vështirë të mirëkuptosh një klimë të re politike, në kushtet kur ndëshkueshmëria e korrupsionit tashmë është kthyer në pandëshkueshmëri. Madje duhet pranuar përfundimisht që korrupsioni për politikanët s'është më vepër penale dhe nuk mund të bësh përpara po s'qe i korruptuar dhe nuk mund të shpresosh për ndryshim për mirë në rast se nuk garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme pikërisht me ndryshim të vullnetit politik, çka do të thotë me marrje përgjegjësish, largim të shkaktarëve të manipulimit dhe deformimit të projektuar nga qeveria.
Sa i shihni shanset e z.Nano në garën për President?
Pa hyrë në emra, dua të them që rëndësi ka procesi dhe në rast se ka një vullnet minimal për një president konsensual, - jo se ka ndërruar vullneti, por të paktën për të dalë para Botës që bëjmë edhe ndonjë përpjekje apo gjest konsensualiteti dhe në respekt të Kushtetutës, e cila detyron këtë, kjo është kryesorja. Pra, realizimi i një presidenti konsensual, gjë që përsëri nuk do të ishte zgjidhje, pasi të tërë e dinë që Presidenti në daç të jetë konsensual, në daç të jetë i llojit tjetër, absolutisht bashkëjetesa me këtë qeveri, me këtë kryeministër do të jetë konfliktuale. Pra, konsensuali do të ketë përplasje, kurse jokonsensuali do të jetë një vegël e qeverisë, dhe për pasojë do të bien edhe ato pak institucione që kanë ngelur në këmbë, aq sa po mbahen. Prandaj këtu, në këtë aspekt nuk ka rëndësi emri dhe kuptohet që po të hysh se çfarë përfaqësojnë emrat, një president i shumicës absolutisht është i papranueshëm, është kundër sensit jo vetëm me frymën e Kushtetutës, por me çdo normë demokratike duke ditur edhe shkallën e keqpërdorimit që bën Berisha me institucionet. Dhe në këtë aspekt, Nano do të ishte më i pranueshëm se dikush nga e djathta. Më tej, sigurisht varet nga konjukturat, por unë kam theksuar dhe e theksoj, tjetër gjë që hyn edhe në kuadrin e këtyre takimeve apo paqeve të reja, që çifti Nano-Berisha nuk është një çift që mund të premtojë një klimë të re politike për Shqipërinë, ose ndryshim të mirë. Jo për faj të Nanos, por sepse mjafton tipi, politika, mënyra e të qeverisurit, karakteri i Berishës për të thënë se kjo e shumta do të riciklonte konfliktet disavjeçare, ose një pazar të ri, por absolutisht asgjë të mirë. Mesazhi moral është që jemi po atje. Të paktën duhet të fillosh nga një moral i ri dhe zgjedhja e presidentit të ri, të paktën duhet ta ketë këtë moral. Tani pyetja është a mund të dalë një i moralshëm kur zgjedhja kryesisht vjen nga të pamoralshmit? Presidenti konsensual mund të çojë në zgjidhjen e kësaj, që edhe një Kuvend me një moral të ulët, mund të nxjerrë një figurë që është ndryshe në raport me të.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›