E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel: Greqia e di se çfarë duhet të bëjë për të qëndruar në euro

BERLIN - Vazhdon presioni intensiv nga Berlini dhe Komisioni Evropian me breshëri deklaratash, që paralajmërojnë Athinën për të respektuar angazhimet e saj, ashtu siç ka edhe zëra në anën tjetër, që paralajmërojnë eurozonën se një dalje e Greqisë nga euro do të ishte katastrofike. 

Greqia duhet të përmbushë angazhimet e saj ndaj kreditorëve dhe të zbatojë reformat që ka premtuar, në qoftë se ajo dëshiron të mbetet në zonën e euros, paralajmëroi përsëri Berlini.

Në një intervistë të saj, që do të publikohet sot në gazetën "Passauer Neue Presse" kancelarja Angela Merkel vuri në dukje se "gjithmonë kam kërkuar që Greqia të mbetet brenda zonës euro. Kjo nuk ka ndryshuar. Athina nga ana e saj duhet të respektojë angazhimet e saj ndaj Trojkës (BE, BQE, FMN) dhe reformat, që premtoi", theksoi ajo. "Është e vetmja mënyrë për Greqinë që të kthehet në stabilitet dhe në zhvillimin e saj ekonomik" shtoi Merkel.

Athina nuk do të marrë para të tjera pa përmbushjen e detyrimeve ndaj kreditorëve të saj, tha Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle. "Nëse Greqia braktis reformat, nuk mendoj se këstet e ndihmës financiare duhet të jepen", ka paralajmëruar ai nga Brukseli. "Pozicioni i Berlinit është për të ndihmuar Greqinë, por kjo supozon se do të plotësohen kushtet që u arritën përmes negociatave", tha ai.

Ministri gjerman i Financave Wolfgang Shable më herët paralajmëroi qartë se për të qëndruar Greqia në zonën e euros duhet të respektojë angazhimet e veta.
"Nuk ka mënyrë më të mirë për të siguruar se Greqia mbetet në euro nga monopati, në të cilin kalojmë së bashku për 18 muaj", vuri në dukje ministri gjerman i financave.

Një mesazh të ngjashëm kishte dërguar edhe presidenti i i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. "Është një çështje kredibiliteti jo vetëm për Greqinë por për të gjithë zonën e euros. Ka rëndësi të kuptohet, se në qoftë se marrëveshja nuk përmbushet, pasojat për Greqinë do të jenë shumë negative", paralajmëroi Manuel Barroso.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Van Rompuy ka shkuar më tej me mesazhin e tij drejtuar Athinës kur ka ftuar udhëheqësit politikë të thonë të vërtetën, duke vënë në dukje se "demagogjia dhe nacionalizmi nuk janë përgjigjet e duhura për sfidat aktuale". "Ata që insistojnë se vendi i tyre mund të arrijë të dalë vetë nga kriza, thonë gënjeshtra", vuri në dukje z.Herman Van Rompuy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›