E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjiri i Meksikës, BP tenton sërish

Kompania ka nxjerrë në shitje një pjesë të shërbimeve të saj për të mbuluar kostot gjigante të kësaj situate

Duket e destinuar të mos përmirësohet situata alarmante e shkaktuar nga rrjedhja e naftës në Gjirin e Meksikës. Që prej fundit të prillit, kompania angleze vetëm ka dështuar në përpjekjet e saj për të ndaluar rrjedhjen, edhe pse burime brenda kompanisë deklarojnë se sasia e naftës që derdhet në det është ulur ndjeshëm. Dje BP ka hequr kupolën që mbyllte përkohësisht të çarën në pusin e naftës që nga fundi i detit vazhdon të ndotë ujërat e Gjirit të Meksikës. Në pritje për të fiksuar me një robot një kupolë më të madhe, më të rëndë dhe efikase llogaritet se do të derdhen në det më shumë se 60 mijë fuçi nafte në ditë. Lajmi është transmetuar nga mediat amerikane, ndërsa telekamerat e vendosura te robotët që ndjekin operacionet në 1500 metra thellësi transmetojnë imazhet dal vivo në ueb. Kupola e re do të jetë në gjendje të “kapë” nga e çara e pusit 25 mijë fuçi nafte në ditë kundrejt 15 që kapte ajo që sapo u hoq. Po ndërkaq, nga një tentativë te tjetra, zgjidhja përfundimtare duket larg. Kupola u hoq në orën 12.30 me orën lokale, shkruan “Washington Post” dhe ajo që po mbledh naftën në sipërfaqe është një anije e re, “Helix Producer I”, që sipas informacioneve të gazetës është e aftë të grumbullojë deri në 25 mijë fuçi në ditë. Operacionet shkruan “Washington Post”, janë frenetike, por sipas zëvendëspresidentit të BP, Kent Wells, “nëse gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve për këtë operacion do të nevojiten nga katër deri në shtatë ditë”. Por ndërkaq, edhe pse përpjekjet për të minimizuar dëmin vazhdojnë, asgjë nuk mund ta kthejë situatën në gjendjen e mëparshme. Kjo me të drejtë është cilësuar si katastrofa më e madhe ambientale në historinë e Amerikës. Nga ana tjetër janë shtuar zërat se kompania britanike e naftës BP po negocion me konkurrenten amerikane “Apache Corporation” për shitjen e aktiviteteve të saj në kontinentin amerikan për një shifër prej 12 miliardë dollarësh, mes të cilave puset e naftës në “Prudhoe Bay”, në Alaskë, dhe zonën më të madhe naftëmbajtëse të Amerikës së Veriut, me një prodhim prej 390.000 fuçi nafte në ditë. Kështu shkruan “Sunday Times”, që e lidh këtë lajm me nevojën e BP për të krijuar një fond prej 20 miliardë dollarësh për të përballuar shpenzimet marramendëse që po i kushton situata në Gjirin e Meksikës. Apache Corp, vlerësohet në bursë me një shifër prej 29 miliardë dollarësh dhe në të kaluarën ka kryer shërbime blerjeje nga BP. Sipas të përjavshmes britanike, kompania britanike ka ndërmend të shesë 60 për qind të kapitalit të argjentinases “Pan american Energy” për një vlerë prej 9 miliardë dollarësh. Sipas “Sunday Times” mund të blihen nga kompania kineze “Cnooc” apo ajo britanike “Bridas”. Që prej shpërthimit të naftës më 20 prill çdo ditë derdhen në det me qindra mijëra litra naftë. Kjo është katastrofa më e madhe ambientale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku janë ndotur qindra kilometra të bregdetit. Sasia e derdhur në det deri më tani, sipas administratës, është 251 milionë litra. Ndërsa sezoni i ri i uraganeve mund ta rëndojë më shumë situatën.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›