E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja e piktorit

Janë qindra portrete dhe pak peizazhe. Të gjitha brenda një dosjeje, ato mbartin shenjën karakteristike të kohës. Mjaftojnë vetëm disa prej tyre për t’u bindur plotësisht për cilësimin që Kerajt i kanë dhënë si mjeshtër i portretit. Në të ardhmen ndoshta do të jenë pjesë e një ekspozite Vizatimet e panjohura të Jakup Kerajt

Një pasdite, kur afshi i nxehtë i këtyre ditëve të korrikut nuk është fashitur ende, nisemi drejt shtëpisë së Jakup Kerajt. Dy vjet më parë, në ekspozitën retrospektivë në Galerinë Kombëtare të Arteve, kushtuar piktorit të njohur shkodran, e bija, Albana, na lajmëroi për një dosje me vizatime të panjohura të të atit. është po ajo që na shoqëron në shtëpi, një pallat nga ata të vjetrit, diku në rrugën që të çon në “Porcelan”. Sapo dera hapet, shpërfaqet imazhi i piktorit. Muret janë të mbushura me piktura, portrete e vizatime. Simbolikisht aty gjendet një jetë e piktorit, e prerë dhunshëm në mes nga sëmundja. Kjo miniekspozitë brenda shtëpisë nis nga vizatimet e Jakupit Student, piktura të bëra ndër vite e deri edhe te peizazhi i fundit. Kjo është vetëm pak nga krijimtaria që ka lënë në trashëgim. Nga një tjetër dhomë, bashkëshortja e tij, Nezihaja, sjell një dosje të mbushur plot. Ka ngjyrën karakteristike të gjërave të ardhura në kohë. E hap. Nga njëra flet në tjetrën “takon” personazhe të ndryshëm. Nuk janë fytyra të njohura. Por janë tipike në llojin e tyre. Mjaftojnë vetëm disa prej tyre për t’u bindur plotësisht për cilësimin që Kerajt i kanë dhënë si mjeshtër i portretit. Ka shumë jetë në to. Duket se diku i ke takuar ato personazhe. Portreti i tyre është më shumë se një pamje fizike. Mes vijëzave të lapsit lexohet karakteri i gjithsecilit.

Kooperativistja, mjelësja, pompistja, portreti i vrazhdë i një punëtori në Koman, një tjetër portret fqinji, një vogëlushe në lëvizje, një grua me veshje kombëtare...është një galeri e tërë personazhesh që gjallonin rreth tij. Me heshtjen e tij, Jakup Keraj në pak minuta i bënte “të pavdekshëm”. Po mes asaj dosjeje gjen peizazhe të rralla të Shkodrës. I ka vizatuar me laps blu. Kthina, rrugica, shtëpi të vjetra që sot ndoshta nuk ekzistojnë më. Albana, e bija që ka trashëguar prej tij pasionin e pikturës, thotë se përbëjnë gati një cikël më vete. Jakupit i pëlqente të eksperimentonte, ndaj aty gjen të aplikuara teknika të ndryshme. Shumica e atyre fletëve janë pikturuar në të dyja anët. Në të tjera gjen skica të vogla, hedhur kalimthi nga piktori për të mos harruar. Familjarët thonë se në ardhmen, mund të përbëjnë motivin e një ekspozite. Nezihaja thotë se një pjesë e punëve iu dëmtuan kur pas vdekjes së piktorit i morën studion. I ka mbetur peng. Do të donte që sot, atë studio të Shkodrës ta kthente në muze për të shoqin, i cili punoi gjithnjë heshtur, pa kërkuar as shpërblim. Në rrugën e tij e ndoqën edhe fëmijët, ndonëse ai vetë nuk ishte shumë entuziast për këtë. Albana iu kushtua pikturës, kurse djali, Petriti, skulpturës. Vetëm motra e madhe e tyre, Lindita, zgjodhi një tjetër rrugë. Teksa shfletojmë këtë dosje, Nezihaja, infermiere në profesion, mbledh kujtimet. As ajo nuk e ka pasion të folurin. Qetë tregon për Jakupin piktor dhe njeri. Sëmundja i ndau herët. Jakup Keraj e mbyll ciklin e tij në moshën 54-vjeçare. Gjithçka ndodhet në këtë shtëpi, është aq sa ai mundi të krijonte.

Si niste një ditë e Jakup Kerajt?

Jakupi mendonte vetëm për punën. Ngrihej në mëngjes, pasi çonte fëmijët në çerdhe dhe në kopsht, nisej drejt studios. Qëndronte aty deri pasdreke vonë, ndonjëherë edhe në orët e vona të natës. Ndodhte që nuk i mjaftonte koha që kalonte në studio dhe shpesh merrte punë që t’i përfundonte në shtëpi. E kërkoi penelin deri ditët e fundit. Edhe gjatë kohës që qëndruam në Razëm, shokët e tij të dhomës i sajuan një dyshek, kavaletë dhe jastëk. Këtë peizazhin e ka realizuar atje(kthehet nga piktura e varur në murin e shtëpisë) dhe është i fundit i tij. Donte të pikturonte edhe kur u kthyem në shtëpi, por nuk ia lejova më, sepse ishte i pafuqishëm.

Ju keni një dosje përplot me vizatime, pjesa më e madhe e paekspozuar ndonjëherë. Nuk donte vetë t’i bënte të njohura apo ndodhi për shkak të rrethanave?

Në ato dy ekspozita që hapi sa qe gjallë, qëlloi që të ekspozoheshin shumë pak. Të tjerat janë vizatime që shumëkush nuk i ka parë. I punonte dhe i linte aty. Një pjesë e madhe edhe janë prishur, sepse pasi vdiq Jakupi, na e morën studion. Të gjitha këto vizatime kanë qenë të palosura, disa edhe me ngjyra dhe ne nuk mund t’i ruanim ashtu siç duhej në shtëpinë që u mbush plot. Ishte viti 1987, një javë pas vdekjes së Jakupit kur erdhën disa të rrethit të na paralajmëronin. Pastaj në ‘90-‘91 u dukën policët te dera. Disa prej tyre u habitën se menduan se ishte një studio bosh, por në fakt unë e mirëmbaja shumë.

Duket se ju ka mbetur peng?

Sigurisht. Asnjë piktori tjetër nuk iu mor studioja. Nuk na dhanë as arsye as shpjegime. U duk sikur Jakupin nuk donin ta linin të qetë as kur ishte gjallë e as kur vdiq. Ai kishte vetëm momente pune. Nuk kishte shoqëri të zgjeruar e nuk përzihej në bisedat që bëheshin lart e poshtë mes artistëve.

Ka një mori portretesh. Ku i kërkonte Jakupi personazhet e tij?

I ka kërkuar në kooperativë, në hidrocentrale, në uzina, kombinate apo edhe në Artistiken e Shkodrës. Me biçikletë shëtiste nëpër fshatrat e Shkodrës ku punonte kryesisht peizazhe. Jashtë Shkodre pak ka dalë. Nuk e angazhonin shumë.

Ka shumë rrugica, shtëpi të vjetra e peizazhe nga Shkodra. Sa i lidhur ishte ai me këtë qytet?

E donte aq shumë sa nuk ka lënë cep të Shkodrës pa e bërë vizatim e peizazh.

Jakupi i përkiste brezit të artistëve që u shkolluan në ish-Bashkimin Sovjetik. U kthyen e gjetën një realitet tjetër nga ai që mendonin. Shprehej i zhgënjyer për kthimin?

Jakupi ka qenë tip i qetë, nuk përfshihej shumë në biseda. Pas mbarimit të studimeve e caktuan të jepte vizatim teknik në shkollën e mesme “29 Nëntori” në Shkodër, pastaj në një shkollë tetëvjeçare dhe më pas në shkollën e muzikës. Ai nuk parapëlqente të fliste për kohën e studimeve, por miqtë e tij, Shaban Hadëri, Vilzon Kilica, Guri Madhi, Kristaq Rama, thonë se ka qenë artist i madh. Për mua ai mbetet i tillë. Jakupi nuk është vlerësuar asnjëherë sa ka punuar, megjithatë meritat ia tregon puna.

Veç vizatimeve e pikturave, solli me vete dorëshkrime?

Ka prurë bojëra për të punuar, shumë libra dhe pikturat. Pjesën më të madhe të tyre, veçanërisht nudot i mbanim të fshehura. Sapo vinte një kontroll i fshinim, iknin i ekspozonim sërish. Të gjitha këto vizatime të kohës së shkollës që sot i kemi vendosur në kornizë, i mbanim fshehur, të bërë rrotull njëri pas tjetrit. Tashmë i kemi sistemuar, sepse janë punë që u përkasin viteve ‘52-‘57 ku ai studioi në Leningrad.

Ka shumë skica të lëna kalimthi. Kishte dëshira të papërmbushura për të?

Disa vepra i mbetën si bocete, nuk arriti t’i realizonte dot. Kishte shumë dëshirë të pikturonte luftën e Borovës e po ashtu Halilin dhe Hajrien. Nuk mundi. Atëkohë u sëmur. Peizazhin e fundit e ka bërë në Ramzë, ndërsa portreti i fundit ishte i një nuseje të re, e cila iu lut t’i bënte një portret. Punoi vetëm pak minuta me të, me shumë vështirësi.

Duket vetëm një portret i juaji këtu. Nuk keni pozuar për të?

është vetëm ky portret. Unë nuk kisha shumë qejf të pozoja, përveç rasteve që e ndihmoja kur i duhej ndonjë model dore apo ndonjë formë. Por i rrija afër kur krijonte. I jepte kënaqësi kjo gjë. Në fillim nuk e kuptoja shumë, por më vonë më kërkonte edhe mendime mbi ndonjë tablo. Kur e kritikoja, më thoshte: “Ke filluar të marrësh vesh edhe nga arti”. Ne nuk e gëzuam shumë njëri-tjetrin, jetuam vetëm 18 vite bashkë.

Kishte ai ndonjë merak ditët e fundit, diçka për krijimtarinë?

Nuk tha asgjë. Shpeshherë, gjatë kohës që ai punonte, shkoja i rregulloja studion. E dinte që unë kisha shumë kujdes për veprat e tij.

Do të ketë ndonjë ekspozitë të ardhshme me veprat e panjohura të tij?

Sigurisht që më vonë do të mundohemi të organizojmë ndonjë ekspozitë. Duam që ai të jetë herë pas here i pranishëm.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›