E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, Ruci: Situata zgjedhore në një trysni të rëndë

GJIROKASTËR- “Në 8 maj shqiptarët do të votojnë për të zgjidhur krizën politike”, deklaroi sot nga Gjirokastra Gramoz Ruçi, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, gjatë prezantimit të kandidatit te koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Flamur Bime.

Duke iu referuar incidenteve të fushatës ka deklaruar nga qyteti i Gjirokastrës se situata zgjedhore është në një trysni të rëndë. “Jemi në një krizë të gjatë politike. Nuk e themi ne, por ndërkombëtarët, të cilët vazhdimisht vijnë në vendin tonë për të zhbllokuar ngerçin qysh prej zgjedhjeve te 28 qershorit. Situata është bërë edhe më e rëndë pas incidenteve të ndodhura gjatë fushatës”, theksoi Ruci.

Ndërsa, Flamur Bime, kandidati i koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen”, përfaqësues i PS, tha se “Gjirokastra edhe këtë herë do të votoje alternativën më të mirë për të udhëhequr për katër vitet e ardhshme qytetin e gurtë”.

“Gjatë shtatë viteve të fundit, pushteti vendor i drejtuar nga socialistët ka ndryshuar qytetin, duke përmirësuar të gjithë sistemin e infrastrukturës rrugore, si dhe ka ulur taksat në nivel lokal, gjë që ka ndikuar në rritjen e cilësisë së jetës”, nënvizoi Bime.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›