E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtrenjtohet buka çmimi rritet me 10 lekë

TIRANE-Tregtarët e bukës në kryeqytet kanë rritur çmimin e këtij produkti jetik. E perditshmja Gazeta Shqiptare ben te ditur se bëhet fjalë për bukën 800 gramëshe, e cila deri para një jave kushtonte 80 lekë, ndërkohë që tashmë qytetarët e Tiranës duhet të paguajnë 90 lekë për këtë. 
 
Një nga prodhuesit e bukës që e ka rritur çmimin, na shpjegon se arsyeja është rritja e çmimit që ka pësuar mielli. “Është rritur çmimi i miellit që ne blejmë, madje do të thoja se është dyfishuar, - na thotë njëri nga prodhuesit e bukës që ka rritur çmimin e këtij produkti, - dhe bëhet fjalë për një miell mesatar, pasi miellrat që janë të një cilësie shumë të lartë, janë rritur edhe më shumë. Ndërkohë që kanë pësuar rritje edhe taksat e tjera që ne paguajmë në doganë. Kështu që neve na është rritur shumë kostoja e prodhimit të një buke, dhe detyrimimisht kemi rritur edhe çmimin e shitjes”, - na shpjegon ai. 

Në fakt çmimi nuk është rritur në të gjitha njësitë e tregtimit të këtij produkti jetik. Disa furra buke, nga 80 lekë që e kanë pasur çmimin për një bukë 800 gramëshe, e kanë bërë 90 lekë. Ndërkohë që ka edhe furra buke që vazhdojnë ta mbajnë çmimin e bukës të pandryshuar, pra 80 lekë. 

Ndërkohë që vetë qytetarët janë shprehur të habitur dhe të pakënaqur me rritjen e çmimit të bukës, pasi kjo ndikon drejtpërsëdrejti në xhepat e tyre dhe hedhin dyshime se kjo bëhet vetëm për qëllime përfitimi nga vetë tregtarët.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›